Paçarizi: Pritej që Vetëvendosje t’i sfidonte kryetarët aktualë, por nuk zgjodhi kandidatët e duhur

Prishtinë | 15 Tet 2021 | 21:50 | Nga Ekonomia Online

Analisti Rrahman Paçarizi ka thënë se pritshmëritë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë qenë më të madhe që të ketë kandidatë që ua lëkundin seriozisht karrigën e kryetarëve aktualë në komunat e Kosovës.

Ai thotë se Vetëvendosje në këto zgjedhje do të pësojë rënie të dukshme krahasuar me fitoren në shkurt, njofton Klan Kosova.

“Lëvizja Vetëvendosje është partia dukshëm më e fuqishme dhe është përmbi 50 përqind dhe i ka ra hise që të hyjë në zgjedhje lokale dhe kjo duket që e ka zënë të papërgatitur, e cila nuk ka performuar si është pritur nga një parti kaq e madhe. Unë kisha mund të mendoj se do të bie diku 3 apo 5 përqind, por po duket se rënia është më e madhe në nivel të Kosovës sepse në të gjitha komunat s’ka zgjedhur kandidatët e duhur. Është pritur nga partia më e madhe që t’i sfidonte partitë tjera që e kanë pasë pushtetin në komunat e Kosovës”.

“Nga kryetarët aktualë janë sfiduar seriozisht ai i Gjilanit, i Mitrovicës dhe i Gjakovës. Gjithsesi, gara ka qenë cilësore në shumë komuna, përjashto ato komuna ku s’janë sfiduar seriozisht kryetarët aktualë si ai i Pejës, i Fushë Kosovës, i Lipjanit dhe i Ferizajt sepse s’kanë pasë kandidatë që kanë mundur t’i sfidojnë fuqishëm”.

Për PDK-në dhe LDK-në, Paçarizi në Rubikon tha se e kanë marrë mësim nga zgjedhjet e kaluara, prandaj kanë bërë fushata interesante dhe intensive.

“Fushata e Prishtinës ka qenë shumë cilësore dhe ka pasë projekte interesante për votuesit dhe këtë garë cilësore për Prishtinë dhe këtë garë cilësore e ka prishur në njëfarë mënyrë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili i ka hyrë garës me një vonesë të theksuar dhe pastaj janë bërë veprime në përpjekje për të kompensuar atë kohën e humbur, duke u përfshirë edhe njeriu i Vetëvendosjes që sjell vota, Kurti”.

Të ngjashme