PDK në Dragash: Votat me postë janë të manipuluara, KQZ dhe PZAP të reagojnë për këtë krim

Prishtinë | 16 Nën 2021 | 20:53 | Nga Ekonomia Online

Dega e PDK-së në Dragash kanë reaguar lidhur me votat me postë, sipas tyre janë vota të manipuluara.

Përmes një postimi në Facebook, dega e PDK-së i kanë bërë thirrje Prokurorisë që të filloj hetimet sa më parë, teksa kanë shkruar se janë të gatshëm t’i ofrojnë të gjitha informatat që i posedojnë.

Tutje, në reagimin e tyre kanë kërkuar nga KQZ-ja dhe PZAP që të reagoj menjëherë, njofton Klankosova.tv.

Reagimi i plotë nga Dega e PDK-së në Dragash.

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të dashur qytetarë të Dragashit.

Nga ajo që sot pamë në QNR nga vëzhguesit tanë, shumica e votave me postë që kanë ardhur për Komunën e Dragashit, janë vota të manipuluara, të mbushura nga një dorë e vetme. Po ashtu, shihet qartë që zarfet janë të shënuara nga e njëjta dorë.

Nga ajo që u pa nga vëzhguesit por edhe nga mediat, u vërtetua informacioni që ka qarkulluar tash e disa ditë në Dragash, që pronarët e një agjencie turistike kanë mbushur zarfet dhe i kanë shpërndarë ato në 4 posta të ndryshme në Austri e Gjermani.

Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë që të filloj hetimet sa më parë dhe ti jepet fund keqpërdorimeve me votat me postë.

Jemi të gatshëm ti ofrojmë Prokurorisë gjithë informatat që i posedojmë për këtë krim ndaj demokracisë.

Askush nuk mund ta deformoj vullnetin e mijëra votuesve të Dragashit.

Kërkojmë nga KQZ dhe PZAP që të reagoj menjëherë për këtë krim dhe këto zarfe të mbushura nga një dorë e vetme, mos të përfshihen në rezultatet zgjedhore.

Në të kundërtën, ne jemi të detyruar t’i ndjekim të gjitha instancat ligjore për ta mbrojtur vullnetin e qytetarëve të Dragashit nga keqbërës që me metoda kriminale mundohen ta deformojnë rezultatin.

Të ngjashme