Xhafer Tahiri: Ferit Idrizi po i ik debatit – s’kemi nevojë të ballafaqohemi në shesh si në Athinën e lashtë

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 10:35 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i LDK-së për Vushtrrinë Xhafer Tahiri ka thënë se kundërkandidati i tij nga PDK-ja Ferit Idrizi nuk ka pranuar të përballet me të në Edicionin Special në Klan Kosova për shkak se nuk ka program qeverisës.

Tahiri gjatë debatit ka thënë se nuk ka nevojë për ballafaqim në shesh, siç ka kërkuar kundërkandidati i tij, por idetë dhe programet e tyre mund t’i përballin në studio televizive.

“Në radhë të parë është një mungesë e respektit për qytetarët e Vushtrrisë të cilët kanë nevojë që të dëgjojnë nga kandidatët që potencialisht mund të udhëheqin komunën e Vushtrrisë për programet qeverisëse në mënyrë që qytetarët e Vushtrrisë të na mbajnë përgjegjës për premtimet që japim dhe programin që paraqesim.

Natyrisht që Ferit Idrizi nuk ka shfaqur asnjë program në këtë fushatë elektorale dhe kjo është dëshmuar edhe në debate televizive kur ka ardhur tërësisht i papërgatitur dhe pa program. Kjo është shpërfaqur në debatin e fundit ku kemi qenë përballë njëri-tjetrit ku nuk ka pasë program dhe natyrisht që tani është shumë vonë që të bëhet programi, në javën e fundit, prandaj po i ik debatit dhe bën edhe thirrje për debat në shesh. Nuk kemi nevojë që të ballafaqohemi në shesh si në Athinën e lashtë kur ballafaqoheshin në duel kur nuk kishte mjete të informimit, si tani studio televizive të cilat janë për debat dhe ku mund t’i ballafaqojmë idetë dhe projektet tona për zhvillimin dhe përparimin e qytetit tonë” është shprehur Tahiri Edicionin Special në Klan Kosova.

Të ngjashme