Administrata Tatimore e Kosovës, e përkrahur nga organizata Gjermane GIZ ka mbajtur sot punëtori lidhur me zgjerimin e funksionit të Zyres për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative – ZgjoNA. Administrata Tatimore e Kosovës, si një administratë moderne e orientuar drejtë të qenit efikas dhe ofrimit të shërbimeve më të mira ndaj tatimpaguesit, në vitin 2014 ka lansuar pilot projektin Zyra për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative – ZGjoNA.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Sakip Imeri, tha se ne kemi marrë një model gjerman në lidhje me themelimin e kësaj zyre dhe kemi përfunduar fazën e parë, por për të kompletuar modelin kërkohet edhe angazhimi i institucioneve tjera që kjo të realizohet, për realizimin e fazës së dytë të projektit. Për këtë duke iu falënderuar GIZ-it gjerman jemi mbledhur sot të hedhim hapin tonë të parë të përbashkët në ngritjen e mekanizmave më efikas në arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta në të mirë e vendit dhe qytetarëve.
Përfaqsuesja e GIZ, tha se bashkëpunimi me Administratëne Tatimore që nga fillimi ka qenë mjaft i mirë dhe frytdhënës në secilin projekt, në veçanti për projektin ZgjoNA .
Kjo zyre mbulon dispozitat ligjore që lidhen me gjobat dhe ndëshkimet për shkeljet, parregullsitë dhe kundërvajtjet në fushën e tatimeve duke siguruar njëtrajtshmëri, saktësi dhe shpejtësi në shqyrtim e rasteve në drejtim të përmbushjes vullnetare. Tani kemi ardhur në fazën kur kjo zyre do të përfshijë edhe veprat penale në fushën e tatimeve, e cila është në proces të ndryshimit të akteve përkatëse ligjore. Lidhur me këtë, në zgjerimin e fushëveprimit të kësaj zyre, si institucione me të cilat Administrata Tatimore ka bashkëpunim në fushën e hetimit tatimor, janë edhe Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës dhe institucione tjera relevante, të cilat ishin pjesëmarrës në këtë punëtori.
Nevahi Rexhepi nga ATK bëri prezantimin e gjendjes aktuale të fazës së parë të projektit duke prezantuar para të pranishmëve qëllimin dhe strukturën e ZGjoNA-s në ATK.
Më pas eksperti nga gjermania. Z. Karlheinz Schmid, bëri prezantimin se si funksion ZGjoNA, e që në Gjermani quhet BuStra, duke paraqitur strukturën, rolin, kompetencat dhe bashkëpunimin e fuqishëm që ky funksion ka me institucionet tjera si hetimet, prokuroria dhe gjykatat.
Policia e Kosovës shprehu falënderimin për ATK-në, rreth bashkëpunimit të deritanishëm pasi që ky në këtë mënyrë po lehtëson punën e Departamentit për Krime Ekonomike.
Drejtori Sakip Imeri falënderoi pjesëmarrësit për prezencën dhe tha se shpresoj që ky të jetë vetëm takimi i parë i takimeve të mëvonshme për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër evazionit tatimor dhe dukurive negative në fushën e tatimeve. Jam i bindur se vetëm punët e përbashkëta japin rezultate më të mëdha dhe afatgjata.