Zgjidhet problemi i mungesës së insulinës

Prishtinë | 28 Jan 2021 | 21:13 | Nga Ekonomia Online

Janë diku rreth 70 pacientë diabetikë nga Prishtina që marrin çdo ditë insulinën “Levemir”.

Mirëpo sasitë e këtij lloji të insulinës janë shpenzuar më 10 janar në Barnatoren Qendrore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në kryeqytetit, njofton KlanKosova.tv.

Derisa furnizimin me insulinë e bënë Ministria e Shëndetësisë, sipas farmacistit përgjegjës në këtë institucion, Fatos Aliu, furnizimi me këtë lloj ilaçi pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme.

Megjithatë, nuk është e vetmja QKMF-ja e Prishtinës që ka këso telashe.

Edhe në QKMF-në e Prizrenit gjatë tërë muajit janar ka pasur mungesa pothuajse të të gjithave llojeve të insulinës.

Drejtuesi i qendrës primare në Prizren, Xhevat Elezkurtaj ka thënë për Klan Kosovën se kërkesat i kanë adresuar me kohë tek Ministria e Shëndetësisë dhe se furnizimi i rregullt duhet të bëhet në çdo fillim të muajit.

Në fakt Barnatorja Qendrore e QKMF-së në Prizren sot është furnizuar me sasitë e insulinave të ndryshme dhe se qytetarët këto mund t’i marrin deri më 5 shkurt.

“Shpenzimet e insulinave janë diku tetë –nëntë mijë sosh në muaj, tashmë veç jemi furnizuar dhe 50% e këtyre pacientëve veçse i kanë marrë sot”, deklaroi Xhevat Elezkurtaj, drejtues i QKMF-së në Prizren.

Televizioni ia ka adresuar pyetje lidhur me këtë çështje edhe Ministrisë së Shëndetësisë, derisa ky dikaster ka treguar që ka qenë një periudhë që ka munguar në lloj i insulinës në dy komunat e lartë përmendura, por që tani janë evituar këto mungesa.

“Ministria e Shëndetësisë furnizon me pesë lloje të insulinave institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor. Për momentin, sipas të dhënave nga Departamenti i Farmacisë në MSH, nuk ka mungesa të insulinës dhe komunat (QKMF-të) furnizohen sipas orarit të rregullt qe ato e kanë”, kanë deklaruar nga Zyra për Informim e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ka pasur një periudhe që ka munguar një lloj i insulinës në dy komuna, por që tash në stok nuk ka mungesa. Komunat, në rastet kur iu mungon ndonjë lloj i insulinës, e kanë të drejtën e blerjes së kërkesave urgjente me qëllim që të furnizohen”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme