Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar edhe 14 raporte auditimi në kuadër të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, duke përfshirë 12 institucione të nivelit qendror dhe dy komuna.
Sipas njoftimit, shtatë institucione kanë marrë opinion të kualifikuar, ndërsa shtatë të tjera opinion të pamodifikuar.
“Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi edhe 14 raporte të auditimit, prej tyre 12 institucione të nivelit qendror si dhe dy të nivelit lokal/komuna. Për shtatë prej këtyre institucioneve ZKA ka dhënë opinion të auditimit të kualifikuar, ndërsa për shtatë të tjera opinion të pamodifikuar”, thuhet në komunikatë.
Opinion të kualifikuar kanë marrë Zyra e Rregullatorit për Energji, Zyra e Kryeministrit, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Komuna e Malishevës dhe Komuna e Suharekës.
Ndërkaq, opinion të pamodifikuar kanë marrë Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Zyra e Presidentit, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
ZKA ka vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave buxhetore me legjislacionin në fuqi.
“Sipas rezultatit të auditimit, pesë prej këtyre institucioneve konkluzionin e pajtueshmërisë e kanë të kualifikuar si: Zyra e Rregullatorit për Energji, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Komuna e Malishevës si dhe Komuna e Suharekës”, thuhet në njoftim.
Ndërsa nëntë institucione kanë marrë konkluzion të pajtueshmërisë të pamodifikuar, përfshirë Zyrën e Kryeministrit, Zyrën e Presidentit, Kuvendin e Kosovës, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucione të tjera.
Për 14 raportet e publikuara, ZKA ka dhënë gjithsej 75 rekomandime, me qëllim të përmirësimit të proceseve dhe menaxhimit të financave publike.
“Për këto 14 raporte të auditimit ZKA ka dhënë 75 rekomandime, zbatimi i së cilave i kontribuon përmirësimit të proceseve, menaxhimit më të mirë të financave publike dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët”, theksohet në komunikatë.