ZKA publikon 19 raporte auditimi, 12 institucione marrin opinion të kualifikuar

Prishtinë | 19 Qer 2026 | 18:11 | Nga Ekonomia Online

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar edhe 19 raporte të reja auditimi në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026. Raportet përfshijnë 11 institucione të nivelit qendror, shtatë të nivelit lokal dhe një auditim të veçantë.

Sipas ZKA-së, 12 institucione kanë marrë opinion të kualifikuar, ndërsa shtatë të tjera opinion të pamodifikuar për pasqyrat e tyre financiare.

“Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit publikoi edhe 19 raporte të auditimit, prej tyre 11 të nivelit qendror, shtatë të nivelit lokal si dhe një auditim i veçantë. Për 12 prej këtyre institucioneve, ZKA ka dhënë opinion auditimi të kualifikuar, ndërsa për shtatë institucione të tjera është dhënë opinion i pamodifikuar”, thuhet në njoftim.

Opinion të kualifikuar kanë marrë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Universiteti i Prishtinës, si dhe komunat e Klinës, Podujevës, Prizrenit, Skenderajt, Pejës dhe Ferizajt.

Ndërkaq, opinion të pamodifikuar kanë marrë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, Komuna e Mitrovicës Veriore dhe Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore për qëllime të veçanta të divizioneve të ndara të KEK-ut për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për vitin 2025.

ZKA ka vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve të institucioneve me kornizën ligjore në fuqi. Sipas raportit, 14 institucione kanë pranuar konkluzion të kualifikuar të pajtueshmërisë.

“Sipas rezultateve të auditimit, 14 prej këtyre institucioneve kanë pranuar konkluzion të kualifikuar të pajtueshmërisë që nënkupton se disa nga aktivitetet apo operacionet e kryera nuk ishin në të gjitha aspektet materiale në përputhje me kornizën ligjore të zbatueshme”, thekson ZKA.

Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese, Ministria për Komunitete dhe Kthim, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave dhe Komuna e Mitrovicës Veriore kanë marrë konkluzion të pakualifikuar të pajtueshmërisë.

Për këto 19 raporte auditimi, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë gjithsej 173 rekomandime.

“Për këto 19 raporte të auditimit ZKA ka dhënë 173 rekomandime, zbatimi i së cilave i kontribuon përmirësimit të proceseve, menaxhimit më të mirë të financave publike dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët”, thuhet në njoftim.

ZKA njoftoi se deri më tani ka publikuar 57 raporte auditimi, prej tyre 54 raporte të rregullsisë, një auditim të performancës dhe dy auditime të veçanta, ndërsa publikimi i raporteve individuale do të vazhdojë deri më 30 qershor 2026, në përputhje me afatet ligjore.

Të ngjashme