Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka diskutuar rreth zbatimit të rekomandimeve për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore, të miratuara nga Kuvendi më 9 shkurt në këtij viti. Në komision raportuan përfaqësues të ZRrE-së dhe nga Avokati i Popullit.
I ftuar për raportim ka qenë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, por nuk iu ka përgjigjur ftesës pozitivisht me arsyetimin se është në udhëtim jashtë vendit.
Petrit Pepa, drejtor menaxhues i ZRrE-së, tha se ky institucion është i pafuqishëm të veproj derisa nuk ka një vendim të prerë nga Gjykata.
“Përderisa nuk kemi një vendim të prerë është e pamundur të bëhet një hap tjetër, ZRrE-ja është e pafuqishme të veproj deri kur gjykata të ketë në formë të prerë vendimin dhe me këtë vendim do merren veprime konform legjislacionit në fuqi. Republika e Kosovës e ka obligim furnizimin me energji kudo në Kosovë”, tha Pepa, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se energjia elektrike po merret nga operatorët e Evropës dhe po dërgohet në veri.
“Kostoja e mbulimit të asaj energjie nuk është duke u bërë, kostoja financiare nuk ekziston sepse kemi vendim nga Gjykata që ndalon mënyrën e financimit te energjisë. Energjia po merret nga operatorët e Evropës dhe po dërgohet në veri. Kjo ka shkaktuar probleme që ka devijuar edhe orët e BE-së, është problematikë që po merret me të: Qeveria, Kuvendi, KOST-i, ZRrE-ja dhe gjithë akterët me operatorët e BE-së për të gjetur zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje”, tha ai.
Ai tha se kanë treguar gatishmëri për serbët, në mënyrë që kur aplikojnë atyre tu lëshohen licenca, por ende nuk ka asnjë veprim nga ata.
“Sipas disa informatave që kemi në veri atje operon operatori serb që nuk ka licencë dhe vepron në mënyrë të jashtëligjshme që ka emrin Elektrokosmet” tha Pepa.
Izet Rushiti, anëtar i bordit të ZRrE-së tha se pas vendimit të Gjykatës, ZRrE-ja ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për komunat veriore.
“Pas vendimit të Gjykatës themelore dhe të apelit mbi vendimin e ZRrE-së, kjo ka ndërprerë mbulimin e kostos me energji elektrike për komunat veriore dhe pas këtij vendimi është bërë rritja e çmimeve sipas vendimit të ZRrE-së dhe nga 1 tetori çmimi i energjisë për 3.5% është rrit”, tha Rushiti.
“ZRrE-ja bashkë me Qeverinë, KOSST-in dhe Kuvendin ka bërë takime me këto institucione me gjet alternativa për furnizim me energji për këto komuna dhe pagesën, kemi bërë takime dhe pas asaj që jemi munduar me bë është bërë edhe nga Kuvendi rezoluta mbi gjetjen e mënyrës alternative të furnizimit dhe shpenzimet, janë bërë 3 pika dhe u formu grupi punues që do punojnë rreth kësaj çështje”, tha ai.
Ai tha se ZRrE-ja ka pritur vendim nga Gjyakata që të funksionojë kjo rezolutë dhe të bëhet kompenzimi i energjisë apo faturave, por vendimi i gjykatës themelore dhe asaj të apelit është i përkohshëm. Ai tha se janë duke pritur vendim të prerë në mënyrë që të marrin vendime.
Mehdi Geci, Zëvendës i Avokatit të Popullit tha se institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë padi në gjykatë dhe është kërkuar ndërprerja e vendimit të ZRrE-së dhe tëkompenzohen qytetarët për pagesën që kanë bërë ndaj shpenzimit të energjisë elektrike për qytetarët serb në veri të Kosovës.
“Kemi paraqit padi në gjykatë jemi duke pritur, kemi kërku me u ndërpre vendimi i ZRrE-së dhe me u kompenzu qytetarët që u janë faturuar shpenzimet e energjisë nga komunat veriore”, tha Geci.
Anëtarja e Komisionit, deputetja Teuta Haxhiu tha se shpenzimi i energjisë nga komunat veriore rreth 50 milionë euro që u është faturuar qytetarëve të Kosovës është shkelje e të drejtave të njeriut që u është faturuar një borxh pa i pyetur askush dhe pa e shpenzuar vetë ata.
“Është një çështje ku Avokati i Popullit e ka ngrit shqetësimin që secilit qytetarë iu është marrë nga buxheti i për një pagesë dhe ka shkuar jashtë çdo norme iu ka faturuar qytetarit në shpenzime që kanë bërë serbët në veri. Barrën për 50 milionë euro e kanë bartë qytetarët e Kosovës për rrymën e shpenzuar në veri. E mira e kësaj është që një veprim që nuk po ndodh në këtë kohë, që nga dhjetori i vitit të kaluar nuk po ndodh kjo praktikë e keqe, nuk po u faturohet qytetarit siç ka ndodh më herë për 50 milionë euro që është plaçkit qytetari i Kosovës”, tha Haxhiu.