Zv. kryeministrja Senida Mesi sqaroi në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se nuk do të ketë teserë partie për të mbrojtur ata punonjës apo drejtues administrate që marrin ryshfet dhe abuzojnë me detyrën.
“Nuk do të ketë rëndësi se çfarë teserë partie kanë apo sa miq kanë, ajo që na intereson është se si e kryejnë detyrën dhe se si i shërbejnë qytetarit dhe biznesit”, tha Mesi.
Ajo e cilësoi “historike” reformën në shërbimet administrative. E pyetur në lidhje me rritje pagash e pensionesh, Mesi tha se “për vitin 2018-të, në buxhetin e shtetit janë parashikuar 1.8 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve. Kjo për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve“.
Ndërkohë, për vitin 2018-të, në buxhetin e shtetit janë parashikuar 1 miliard lekë për rritjen e pagave të një kategorie të caktuar të punonjësve të administratës publike, kryesisht në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, bëri të ditur Mesi.
Sa i përket punësimeve “për vitin 2018-të është miratuar VKM për punonjësit e përkohshëm dhe me kontratë. Shtesa e njoftuar është numri i punonjësve dhe praktikantëve me kontratë të përkohshme për vitin 2018-të në njësitë e qeverisjes qendrore me një total që është 1752 punonjës”.
Znj. Mesi, pas ndarjes së koalicionit me LSI, duket se administrata ka pësuar edhe ndryshime. Kanë ardhur ato si pasojë e ndarjes së tepsisë në mënyrë të re apo si nevoja shtesë?
Pikënisja jonë është besimi që qytetarët na shprehën qartë me anë të votës në zgjedhjet e qershorit 2017-të dhe më tej në dëgjesat publike gjatë verës së kaluar. Sugjerimet dhe shqetësimet e tyre të shprehura edhe përmes “Platformës së Bashkëqeverisjes” na japin inpute të vazhdueshme e të vlefshme për t’u përmirësuar e vetëkorrigjuar. Bazuar në këtë vullnet të plotë të qytetarëve shqiptarë, ne si qeveri kemi përgjegjësinë dhe angazhimin përballë secilit prej tyre për të luftuar korrupsionin në çdo qelizë, për të bërë një shtet ligjor e të drejtë, për të rritur punësimin e investimet, si edhe për t’u bashkuar në familjen evropiane. Krahas proceseve të një rëndësie madhore si reforma në drejtësi dhe vetingut – “ilaçet e duhura” për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar – zgjidhja jonë për t’iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave të çdo qytetari dhe sipërmarrësi është: modernizimi dhe dixhitalizimi i gjithë aparatit burokratiko-administrativ dhe i shërbimeve, çka po sjell një ndryshim rrënjësor të praktikave dhe kulturës së punës në administratën publike dhe një transformim historik të marrëdhënies shtet-qytetar dhe shtet-biznes.
Qëllimi është t’i japim fund qasjes së ‘rehatisë së të punuarit në shtet’ apo mendësisë ‘në mos do të rrjedhë, do të pikojë’. Në administratën publike nuk mund të lejohen sjellje që i shërbejnë interesave të ngushta private apo interesave të caktuara klienteliste. Kushdo që do të punojë në administratë publike, duhet të hyjë me përkushtim për t’i shërbyer qytetarit dhe biznesit. Të jeni të bindur që nga puna do të ikin të gjithë ata që e shohin pozicionin e tyre në administratë si një burim përfitimi përmes ryshfeteve apo abuzimeve, të gjithë ata që neglizhojnë detyrën dhe që nuk u shërbejnë qytetarëve. Nuk do të ketë rëndësi se çfarë teserë partie kanë apo sa miq kanë – ajo që na intereson është se si e kryejnë detyrën dhe se si i shërbejnë qytetarit dhe biznesit.
Përmes reformës së shërbimeve administrative dhe transformimit të marrëdhënies shtet-qytetar e shtet-biznes, po bëjmë të mundur të këpusim njëherë e përgjithmonë këto fije të koklavitura të ryshfeteve dhe korrupsionit të jetës së përditshme. Po lehtësojmë procedurat e thjeshtojmë dokumentet. Dhe ky është vetëm fillimi i një reforme gjithëpërfshirëse me në qendër qytetarin. Ne jemi të lumtur dhe mirënjohës që kemi mbështetjen e qytetarëve dhe të biznesit në këtë proces reformimi dhe besojmë që impakti i tij pozitiv do të ndjehet gjithmonë e më shumë. Ne jemi këtu në shërbim të qytetarëve dhe në përgjigje të nevojave të zhvillimit të biznesit dhe rrjedhimisht të vendit.
Ju jeni në krye dhe të projektit për zvogëlimin e burokracive në administratë. Cilat kanë qenë ato institucione më problematike?
Zvogëlimi i burokracisë në administratë është, në fakt, reforma në shërbimet administrative që do të thotë: reduktim i burokracisë, ofrim i shërbimeve në formë të integruar (One Stop Shop, ProBusiness); reduktim dhe eliminim i dokumentacionit të kërkuar në shërbimet publike (leje, licenca, autorizime); unifikim dhe standardizim i procedurave; ofrim i sa më shumë shërbimeve publike online, kudo dhe në kohë reale; kalim i barrës nga qytetari tek institucionet publike për të marrë një dokument që lëshohet po nga shteti. Qëllimi final është shërbime administrative cilësore me në qendër qytetarin dhe biznesin duke kaluar në 100% E-Shërbime (aty ku lejohet dhe është e mundur) në çdo kohë dhe kudo brenda 10 vjetësh.
Nuk do të thosha problematike, por institucione që paraqesin më shumë sfida janë ato që, në fakt, ofrojnë shërbime më së shumti dhe që prekin pothuajse çdo familje, qytetar apo biznes si p.sh. shëndetësia, arsimi, drejtësia apo ekonomia. Në fakt, këto institucione sfiduese për procesin e reformimit të shërbimeve administrative ofrojnë edhe mundësitë më të mëdha që kjo reformë të testohet e të jetë e suksesshme.
Kështu p,sh., në rastin e Ministrisë së Shëndetësisë, që ofron shërbime kapilare në të gjithë vendin dhe që prek shëndetin e çdo qytetari, tashmë do të kërkohen 118 dokumente më pak për shërbimet shëndetësore dhe në rastin për aplikim për KMCAP vetëm 2 dokumente nga 8 që kërkoheshin më parë. Tashmë do të zgjerohet projekti pilot i “e-recetave” jo vetëm në Tiranë, por edhe më gjerë dhe njëkohësisht po punohet edhe për “e-rekomandimet” nga mjeku i familjes tek specialisti përkatës.
Sa i takon sektorit të ekonomisë, financave dhe biznesit, tatimet dhe doganat vazhdojnë të thellojnë më tej dixhitalizimin e shërbimeve dhe thjeshtimin e procedurave dhe dokumenteve. Shërbimet e Drejtorisë së Tatim-Taksave janë mbi 80% të ofruara online. Janë dixhitalizuar 13 shërbime kyçe për biznesin dhe ka nisur zbatimi i programit të “Doganës Paperless”- dogana pa letra, ku nuk ka më nevojë për kontakt personal me doganierin, por në 20 minuta për zhdoganimin e mallrave.
Ne po punojmë me secilin sektor. Kemi kryer tryeza konsultimi dhe një konferencë kombëtare promovuese të fazës së parë të reformës dhe tani kemi filluar me tryeza teknike e sektoriale pune për të vazhduar më tej reformimin e shërbimeve administrative. Faza e dytë do të sjellë edhe ndryshimet përkatëse ligjore sa i takon eliminimit të leje/licenca/autorizimeve apo thjeshtim të dokumenteve dhe procedurave. Shumë shërbime po kalojnë online përmes portalit e-Albania, do të shtojmë numrin e shërbimeve të integruara përmes qendrave ADISA si edhe shërbimet përmes Postës Shqiptare.
Mbi çfarë kriteresh po bëni ndërhyrjet në këto institucione dhe në drejtoritë e tyre?
Duhet të dallojmë mes reformës së shërbimeve administrative që ka të përfshirë edhe procesin e lehtësimit të dokumentacionit apo derregullimit sikurse njihet ndryshe, dhe reformës së ristrukturimit të institucioneve të varësisë së ministrive. Është e nevojshme që të dyja këto të vendosen në një kuadër më të gjerë e të plotë të reformave gjithëpërfshirëse, të ndërmarra nga qeveria shqiptare për shërbimet publike të filluara që në 2014-n: reformimi tërësor dhe transformues i administratës publike; rishikimi i funksioneve të të gjitha institucioneve dhe agjencive të varësisë; modernizimi i shërbimeve administrative.
Si reforma në shërbimet administrative, edhe ristrukturimi i agjencive dhe institucioneve në varësi, po bëhet në përputhje me një metodologji pune të dakordësuar edhe me ekspertët e SIGMA dhe Bashkimit Evropian (BE) si edhe me ekspertët e ADISA (Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara) dhe AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit). Disa nga parimet e përgjithshme ku bazohet procesi i derregullimit janë: reduktim i kërkesave për leje, licenca dhe autorizime me përjashtim të rasteve kur janë të nevojshme për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve, sigurinë dhe mjedisin. Së dyti, kalim i barrës nga qytetari tek institucionet publike për të marrë një dokument që lëshohet nga institucione të tjera publike. Së treti, kalimi i të gjithë lejeve dhe licenca për trajtim, manaxhim, inventarizim dhe procesim tek një autoritet i vetëm si është QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit), që ndërton dhe siguron mbarëvajtjen e standardeve, kontrollon dhe monitoron procesin.
Sikurse e përmenda edhe më lart, kriteret e vetme janë ato profesionale, integriteti i lartë në kryerjen e funksioneve dhe të qenurit në shërbim të qytetarëve dhe biznesit.
A keni një statistikë në lidhje me ankesat që vijnë dhe që zgjidhen nga ministritë përkatëse, në platformën e bashkëqeverisjes dhe përse u desh një gjetje e tillë nga qeveria juaj, ndërkohë që institucionet janë aty për të bërë detyrën normalisht?
Pjesë e këtij procesi transformues historik është edhe “Platforma e Bashkëqeverisjes”. Thjeshtimi i dokumenteve dhe lehtësimi i procedurave është një anë e procesit, pjesa tjetër është sjellja e shtetit apo e administratës publike sikurse e theksova edhe më sipër. Këtu, platforma e bashkëqeverisjes luan një rol të rëndësishëm dhe është tashmë një realitet se si përmes inovacionit ne mund të ndërtojmë një raport të ri me qytetarët.
Deri javën e kaluar, në platformë janë regjistruar 4581 ankesa në nivel qendror dhe 551 në nivel lokal. Ndërkohë që janë përfunduar së procesuari 3976 në nivel qendror dhe 435 në nivel lokal. Ka një numër total prej 16741 logimesh në portal. Thelbi i platformës është: T’u shërbejmë qytetarëve dhe biznesit. Ajo lindi si një nevojë e domosdoshme për të zgjidhur hallet e qytetarëve nga vonesat dhe zvarritjet nga ana e administratës publike. Përmes platformës, ne i hapim derën qytetarit dhe bizneseve për të reaguar në çdo kohë dhe nga çdo vend, për të shprehur shqetësimet e tyre lidhur me cilësinë e shërbimeve që marrin nga shteti. Pra, është një instrument që përdor teknologjinë e informacionit për të luftuar çdo hapësirë apo sjellje korruptive. Krahas ankesave, në platformë zhvillohen edhe interpelanca, ngjashëm me interpelancat në Kuvend, p.sh., një grup interesi që ka lidhje me një vendim apo qëndrim të qeverisë ose të një ministri të caktuar, mjafton të paraqesë në portal një kërkesë për interpelancë me 50 firma. Sipas një rregulloreje e kalendari të përcaktuar, ministrat, zëvendëskryeministrja apo vetë kryeministri, paraqiten për interpelancën e kërkuar, në ekranin e platformës, pra online. Disa nga interpelancat e zhvilluara janë: interpelancë me të përndjekurit që kanë punuar në minierë; interpelancë mbi dialogun me Greqinë dhe marrëveshjet e pritshme; interpelancë e naftëtarëve të Ballshit me qeverinë; interpelancë për reformimin e kalendarit ditor të orëve mësimore “3 lëndë në 6 orë” etj.
A ka një plan për të shtuar administratën me të tjerë punonjës të rinj, pas shtesës që u njoftua kohët e fundit? Si edhe në programin e qeverisë suaj u përcaktua edhe një rritje pensionesh dhe pagash. Ka një muaj konkret për këtë, kur do ndodhë?
Administrata publike është në proces reformimi si një ndër prioritetet e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Për vitin 2018-të është miratuar VKM për punonjësit e përkohshëm dhe me kontratë. Shtesa e njoftuar është numri i punonjësve dhe praktikantëve me kontratë të përkohshme për vitin 2018-të në njësitë e qeverisjes qendrore me një total që është 1752 punonjës. Krahas kësaj ka edhe përpjekje për t’iu përgjigjur grupeve të ndryshme sociale dhe ekonomike në vend. Nga programi i qeverisë kemi kaluar në masën konkrete për të indeksuar pensionet sipas ndryshimit të inflacionit. Kështu për vitin 2018-të, në buxhetin e shtetit janë parashikuar 1.8 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve. Kjo për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Pra, mbështetur në reformën e realizuar në fushën e sigurimeve shoqërore, sistemi i pensioneve përjashtuar, pensionin social, është sistem kontributiv, pra bazohet në kontributet e derdhura dhe për rrjedhojë nuk mund të rritet jashtë këtyre kontributeve. Por, për shkak të inflacionit, është parashikuar vetëm indeksimi i pensioneve. Lidhur me kohën e indeksimit të pensioneve, si rregull ky indeksim vlerësohet gjatë 6-mujorit të parë të vitit dhe propozohet në masën e llogaritur sipas ndryshimit të çmimeve të shportës. Ndërkohë, për vitin 2018-të, në buxhetin e shtetit janë parashikuar 1 miliardë lekë për rritjen e pagave të një kategorie të caktuar të punonjësve të administratës publike, kryesisht në fushën e arsimit dhe shëndetësisë. Masa e rritjes së pagave për çdo kategori dhe periudha e fillimit të kësaj rritjeje, po vlerësohet nga institucionet përgjegjëse të fushës.
Pse e cilësoni si transformim historik këtë reformë të shërbimeve administrative?
Kjo reformë si pjesë e reformimit gjithëpërfshirës të administratës dhe shërbimeve publike, është historike pasi po transformohet marrëdhënia e shtetit me qytetarin dhe biznesin. Në fakt, është një proces kompleks, që prek çdo procedurë dhe çdo dokument burokratik të shtetit, të akumuluar në 27 vjet pavarësisht cila parti ka qeverisur. Ky proces thjeshtimi, lehtësimi dhe dixhitalizimi ndryshon kulturën e punës së administratës publike duke ecur drejt kulturës së shërbimit, efikasitetit dhe transparencës si edhe kujdesit ndaj klientit. Së dyti, ndryshon sjellja dhe qasja e qytetarit dhe biznesit ndaj shtetit. Me shërbimet e automatizuara, të integruara e online, shteti bëhet i aksesueshëm kurdo e kudo dhe krijohen hapësira të pajetuara më parë. P.sh. zhduken figura si ajo e ‘doganierit’ në jetën e biznesit apo çështje si ryshfeti për të marrë shërbim apo ‘kafja për të zgjidhur hall’. Pra, ne po ndryshojmë sistemin e vlerave në shoqëri duke përmirësuar kulturën e punës në administratën publike dhe duke edukuar qytetarët e bizneset sesi t’i qasen shtetit. Ky proces i modernizimit dhe reformimit ndërton një sistem të ri vlerash: Efikasitet të shërbimeve, shërbime me cilësi të lartë, kujdes ndaj klientit, transparencë dhe antikorrupsion. Kështu, duke rindërtuar një sistem të ri vlerash, po shërojmë sëmundjen e cinizmit dhe mosbesimit ndaj shtetit. Shqiptarët kanë nevojë dhe meritojnë shërbime cilësore, të modernizuara dhe dixhitale që ua lehtëson jetën dhe punën. Kjo rrit besimin tek shërbimet dhe administrata publike. Të gjithë ne, qeveri, qytetarë e biznese, opozitë e pozitë, duhet të kuptojnë që ka nevojë për unitet qëllimi dhe të punojmë për atë çka meritojnë shqiptarët: rritje ekonomike, kohezion social dhe bashkim në familjen evropiane.