Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me praninë e mallrave serbe në Republikën e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i kësaj partie, Salih Zyba, tha se taksa e vendosur ndaj mallrave serbe nuk po zbatohet plotësisht. Sipas tij, një deklaratë e presidentit Hashim Thaçi se është rritur kontrabanda me Serbinë, ka lënë të kuptohet se ka pasur kontrabandë gjatë gjithë kohës.
“Zbatimi i saj duhet të ishte i plotë, por nuk po ndodh kështu. Kemi një deklaratë që është denoncim apo kolaps shtetëror. Presidenti thotë se kontrabanda me Serbinë është rritur, kjo i bie që ka pasur gjithmonë dhe kohët e fundit është shtuar. Kontrabanda po i pengon pikërisht në pezullim e tarifës 100 sepse se kemi dëgjuar asnjëherë më parë. Sipas linjës së përgjegjësive në këtë mes janë përgjegjës ministria e Financave, Dogana, antikontrabanda, Policia dhe ministria e Punëve të Brendshme ”, tha Zyba.
Ai tha se institucionet e vendit duhet të jenë më vigjilente dhe ta zbatojnë ligjin e jo ta dobësojnë atë.
“Institucionet duhet të jenë më vigjilente se kurrë, ata kanë për detyrë ta zbatojnë ligjin jo ta dobësojnë atë. Sa i përket tregut, brengosës është edhe reagimi i ministrit të Tregtisë. Për këtë shkelje ka pak gjoba dhe shkelje të mallit. Lëvizja Vetëvendosje në fushatën për bojkot u përgatit 6 muaj”, ka thënë Zyba.
Ai para gazetarëve ka treguar disa produkte të cilat sipas Vetëvendosjes po manipulohen.
“Kemi zgjedh disa prej produkteve këto produkte po manipulohen. Qumështi ky produkt ka emërtime të vet barkodit të Kosovës, ndërsa në një dyqan tjetër është i njëjti produkt i cili përmban flamurin e Maqedonisë. Kemi produkt me flamur që është i Bonjës. Mielli ka mbishkrime të kundërta sa me flamur të Serbisë, e ka barkodin e Kosovës”, tha Zyba, raporton EO.
I pyetur se a keni pas takim me Doganën në lidhje me këtë çështje, ai tha se kanë kërkuar përgjegjësi në lidhje me këtë.
“Kemi kërkuar nga Dogana ne i kemi dokumentet, në mënyrë zyrtare ka hapësirë për zgjedhje selektive, kemi kërkuar përmes komisionit për të dhëna shtesë”, tha Zyba.