Kuvendi i Kosovës shënon nesër Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duke i hapur dyert për vizitorë. Duke filluar në orën 9:30, qytetarë, studentë dhe nxënës do të vizitojnë ndërtesën e legjislativit të vendit dhe do të njihen me punën e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.
Deputeti i Kuvendit nga radhët e PDK-së dhe anëtar nga Forumi për Transparencë Parlamentare, Zanun Pajaziti, shpalli të hapur këtë ditë në emër të kryetarit Kadri Veseli
Ai tha se kanë arritur ta hapin Kuvendin për qytetarë në mënyrë që ta bëjnë sa më transparent, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, Kuvendi nuk do të jetë i hapur vetëm sot por gjithmonë për gjithë ata që duan ti përcjellin punimet e Kuvendit.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka thënë se kjo është një ditë me rëndësi për të gjithë duke iu uruar mirëseardhje të gjithë atyre që sot do ta vizitojnë Kuvendit.
Krasniqi është zotuar se Kuvendi do të bëjë punën me transparencë për qytetarët.
Motoja globale e Ditës së Demokracisë përqendrohet në nevojën kritike për të forcuar institucionet demokratike, për të promovuar paqe dhe stabilitet, një qasje më të integruar dhe gjithëpërfshirëse me respekt për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, mbi të cilën zhvillohet edhe forumi për “Demokraci dhe Parandalim të Konfliktit”.
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në vitin 2014 ka aprovuar Deklaratën për Transparencë Parlamentare dhe njëkohësisht ka themeluar Forumin për Transparencë Parlamentare, si trup këshillues për Kryesinë dhe Kuvendin.
Në vitin 2016, pikërisht në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, nën moton globale “Demokracia 2030”, Forumi për Transparence Parlamentare ka lansuar Planin e veprimit për zbatim të deklaratës për hapje dhe transparencë, duke e bërë zyrtare shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë. Kjo ditë, shënohet që nga viti 2009 nga Kuvendi i Kosovës.
Duke njohur lidhjet e pandashme midis shoqërisë dhe institucioneve efektive, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse, Agjenda 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm adreson demokracinë në Objektivin e 16-të me një sërë objektivash, synimesh dhe treguesish të rinj universalë, të cilat shtetet pritet t’i përdorin për të hartuar agjendat dhe politikat e tyre gjatë 15 viteve të ardhshme.
Përmes Planit Strategjik 2016-2020, bazuar edhe në përvojën e mëhershme të punës me Agjendën paraprake të OZHQ-ve, Kuvendi është zotuar të përfshihet në iniciativat rajonale, evropiane dhe botërore në implementimin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm.