Zyrtarizohet kandidimi i Sibel Halimit për kryetare të Ferizajt

Prishtinë | 28 Kor 2021 | 21:32 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturën e Sibel Halimit për kryetare të Ferizajt.

Gazeta Express, ditë më parë, ka raportuar për kandidimin e Sibel Halimit për kryetare të Ferizajt, ndërsa sot zyrtarizimin e kandidimit të saj e kanë bërë të ditur Dega e LDK-së në Ferizaj.

“Dega e LDK-së në Ferizaj, në mbledhjen e mbajtur para pak çastesh, pas një diskutimi të frytshëm e me procedurë demokratike, unanimisht vendosi që për Kryetare të Komunës së Ferizaj, të kandidoj zonjën Sibel Halimi, anëtare e Kryesisë dhe zëdhënëse e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me intelektualen e veprimtaren Sibel Halimi do të ndryshoj qasja për pushtetin i cili me fitoren e saj do ti kthehet qytetarëve. Është nder e respekt për ferizajasit që për herë të parë në zgjedhje lokale për Kryetare të Komunës, ndonjë parti kandidon një femër”, thuhet në njoftimin e bërë për media.

Tutje, në njoftim thuhet se “me këtë vendim Lidhja Demokratike e Kosovës po bën si gjithherë edhe një histori të re”.

“Për këtë është garancë edhe biografia e saj e pasur dhe e pakontestuar. Dega e LDK-së në Ferizaj dhe strukturat e saj janë mobilizuar plotësisht për ti fituar këto zgjedhje e për ta udhëhequr Komunën, ashtu siç e presin dhe e dëshirojnë kthimin e saj të fuqishëm ferizajasit. Na priftë e mbara”, vijon njoftimi.

Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen më 18 tetor.

Të ngjashme