12 minatorë të lënduar nga acidi sulfurik, dy prej tyre po trajtohen në Oftalmologji

Prishtinë | 17 Jan 2024 | 17:54 | Nga Ekonomia Online

Ndërrmarja “Trepça” ka konfirmuar se 12 minatorë kanë mbetur të lënduar si pasojë e derdhjes së acidit sulfurik nga bombola, brenda minierës në Stantërg. Të lënduarit janë transportuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, ku kanë marrë ndihmë mjekësore.

Dy prej tyre janë me lëndime më të rënda, por të mjekueshme, dhe ata po marrin trajtimin mjekësor në qendrën e oftalmologjisë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

Në njoftimin në faqen zyrtare të “Trepça ShA” saktëdohet se rasti ka ndodhur sot rreth orës 12:35, në horizontin e XI-të të minierës.

“Sot me datë 17.01.2024, në minierën e Stantërg-ut në ora 12:35 h, në horizontin e XI, ka ndodhur një aksident gjatë pastrimit të gypave të pompave me acid sulfurik. Gjatë mirëmbajtjes së gypave ka ndodhur rrjedhje e acidit sulfurik nga bombola, me ç ‘rast janë lënduar 12 punëtorë të minierës së Stantërgut”.

“Ekipet shpëtuese të minierës në krye me Udhëheqësin e Njësisë Biznesore kanë reaguar me shpejtësi për evakuimin e punëtorëve të lënduar nga miniera dhe dhënien e ndihmës së parë duke vazhduar me trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin Rajonal të Mitrovicës”.

“Nga stafi i mjekëve kompetent u njoftuam se gjendja e punëtorëve të lënduar është në përmirësim e sipër, tetë prej tyre janë me lëndime më të lehta të cilët po marrin trajtimin mjekësor në emergjencë dhe dy prej tyre janë me lëndime më të rënda por të mjekueshme të cilët po marrin trajtimin mjekësor në Qendrën e Oftalmologjisë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës”.

Të ngjashme