12 vjet burgim për vrasjen në Ferizaj

Prishtinë | 18 Sht 2017 | 15:26 | Nga

Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, shpalli sot aktgjykimin dënues ndaj të pandehurit T.T., i cila në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje”, nga neni 178, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi Gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, aktakuzës së prokurorisë për veprën penale “vrasja” nga neni 178 i KPRK-së, e ka gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 12 vjetësh.

I pandehuri T.T, akuzohet se më 15 janar 2014, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta A. M. Viktima po e drejtonte veturën, i shoqëruar me disa persona të tjerë. Me të parë të pandehurin T. T., ai e ndal veturën për të biseduar me të. T.T, i cili shoqërohej nga disa persona të tjerë, del nga vetura dhe fillojnë fjalosjen. Sipas aktakuzës, T.T. ia ofron revolen në kokë personit me incialet B. K.. Në këtë moment, A.M del nga vetura duke e lutur që të ulë armën dhe të merren vesh. Por, i pandehuri nxjerr një thikë me të cilën e godet atë në anën e djathtë të gjoksit. Si rrjedhojë e plagëve të marra dhe gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme nga dëmtimi i zemrës dhe në mushkëri, A.M. vdes. Kurse i pandehuri ik nga vendi i ngjarjes.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme