Marrëveshja e njoftuar nga SHBA-të mes Izraelit dhe Libanit, e cila synonte të sillte fundin e konfliktit dhe një fazë të re stabiliteti në rajon, është tronditur që në hapat e parë. Shkak është bërë reagimi i Hezbollahut, i cili e ka kundërshtuar marrëveshjen dhe ka paralajmëruar se do të vazhdojë luftën kundër Izraelit.
Dokumenti me 14 pika parashikonte një tërheqje graduale të ushtrisë izraelite nga disa zona në jug të Libanit, rikthimin e kontrollit të plotë të ushtrisë libaneze mbi territorin dhe çarmatimin e grupeve të armatosura, veçanërisht Hezbollahut.
Një nga pikat më të rëndësishme ishte ndryshimi politik në qëndrimin e Bejrutit, pasi marrëveshja përfshinte njohjen e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar dhe synimin për t’i dhënë fund konfliktit mes dy vendeve. Megjithatë, zbatimi i saj u përball menjëherë me pengesa të mëdha.
Hezbollahu, i cili nuk mori pjesë në negociata, e cilësoi marrëveshjen të papranueshme dhe deklaroi se nuk do të heqë dorë nga përballja me forcat izraelite. Ky qëndrim ka vënë në pikëpyetje të gjithë planin për një armëpushim afatgjatë dhe rikthimin e qetësisë në kufirin Izrael-Liban.
Sipas marrëveshjes, tërheqja izraelite do të ndodhte vetëm pas çarmatimit të grupeve të armatosura dhe pasi ushtria libaneze të merrte kontrollin e plotë të zonave kufitare. Por pikërisht çështja e Hezbollahut mbetet problemi kryesor, pasi grupi ka ndikim të madh në Liban dhe refuzon të dorëzojë armët.
SHBA-të kishin parashikuar një rol të rëndësishëm në zbatimin e marrëveshjes, përmes mbështetjes financiare, trajnimit të ushtrisë libaneze dhe mbikëqyrjes së procesit. Washingtoni synonte që fondet për rindërtimin të mos përdoreshin nga grupet e armatosura.
Ndërkohë, Izraeli ka deklaruar se nuk kërkon territore në Liban, por do të vazhdojë veprimet ushtarake nëse sulmet nga Hezbollah nuk ndalen. Dokumenti gjithashtu kufizon rolin e aktorëve të jashtëm, duke kërkuar që asnjë shtet apo grup të mos përdorë territorin libanez për sulme.
Me refuzimin e Hezbollahut, marrëveshja që shihej si një hap drejt paqes tashmë ndodhet në një pikë kritike. E ardhmja e saj mbetet e paqartë, ndërsa tensionet në kufirin Izrael-Liban vazhdojnë të jenë të larta.
14 pikat kryesore të marrëveshjes: