15 vjet burg për vrasjen e vitit 1993

Prishtinë | 05 Tet 2016 | 11:32 | Nga
Enver Islami është dënuar sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e Xhemshit Ajvazit.
Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Enver Islamin me 15 vjet burg për vrasjen e Xhemshit Ajvazit më 28 prill 1993 në Podujevë.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Prishtinës e ngarkonte Islamin se 23 vjet më parë, saktësisht më 28 prill 1993, rreth orës 19:30 në Rrugën “Skënderbeu” të Podujevës nga hakmarrja e paskrupullt Enver Islami e privoi nga jeta të ndjerin Xhemshit Ajvazi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Islami kishte shtënë së pakur katër herë nga një armë e paidentifikuar, ndërsa njëri nga plumbat e ka qëlluar tani të ndjerin Xhemshit Ajvazin, i cili kishte ndërruar jetë më pas në QKUK në Prishtinë.

Të hënën në këtë proces gjyqësor u dha fjala përfundimtare në të cilën prokurori kërkoi dënimin e të akuzuarit, duke treguar se ai është lajmëruar vullnetarisht për vrasjen që kishte ndodhur, pas kthimit nga Spanja ku kishte qëndruar.

Atë ditë Enver Islami shprehu pendim dhe kërkoi falje për vrasjen, ndërsa avokati i tij Tahir Rrecaj kërkoi nga gjykata që t’i marrë si rrethana lehtësuese për të mbrojturin e tij pranimin e fajësisë dhe pendimin e Islamit. /Kallxo.com

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme