15 vjet nga vdekja tragjike e presidentit maqedonas Boris Trajkovski

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 11:55 | Nga Ekonomia Online

Sot shënohen 15 vjet nga vdekja e ish-presidentit Boris Trajkovski, i cili e humbi jetën në aksidentin me aeroplan tek Rotimle në afërsi të Mostarit.
Në Shkup, në Alenë e Kolosëve tek varrezat e qytetit në Butel lule në varrin e Trajkovskit do të vendosin anëtarët e familjes së presidentit, shumë delegacione dhe qytetarë.

Në shënimin e përvjetorit do të marrë pjesë edhe delegacioni qeveritar i kryesuar nga zëvendëskryetari i Qeverisë i obliguar për çështje ekonomike Koço Angjushev, në përbërjen e të cilit do të jenë edhe ministrja për investime të huaja Zorica Apostolska dhe koordiunuesi kombëtar për përgatitjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO, Stevo Pendarovski.

Delegacioni i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërjen e të cilit janë ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu dhe zëvendësministri i Kulturës, Vlladimir Lazovski do të udhëtojë në Rotmile, BeH në shënimin e 15 vjetorit nga vdekja e presidentit Trajkovski.

Në fatkeqësinë ajrore që ndodhi më 26 shkurt të vitit 2004 humbi jetën presidenti i Republikës së Maqedonisë Boris Trajkovski dhe delegacioni tetë-anëtarësh i Maqedonisë, i cili ka udhëtuar për në konferencë ndërkombëtare në Mostar.

Për fatkeqësinë e cila ndodhi në atarin e fshatit Huskoviq, në afërsi të Mostarit, për shkaqet e rënies së “kingerit”, për atë nëse ka qenë aksident ajror apo ka qenë “terrorizëm”, prej atëherë e deri më tani janë kryer dy hetime dhe janë publikuar dy raporte, të dy komisioneve me të cilët kryesuan Sallko Begiq dhe Omer Kuliq, e në të cilët morën pjesë edhe ekspertë nga Maqedonia.

Në të dy raportet, të cilët dallojnë nga njëri-tjetri, megjithatë, si shkak për rënien e “kingerit” theksohen  gabimet e pilotit dhe mangësi të tjera indirekte të sistemit.

Me kërkesë të Maqedonisë, me mbështetje nga eurodeputeti Andreas Gros, pas grumbullimit të dëshmive shtesë nga ana e MPB-së së Maqedonisë është hapur hetim i ri në janar të vitit 2013, të cilin e ka udhëhequr Kuliq.

Në raportin e parë si shkak kryesor për rrëzimin e “kingerit” janë theksuar “gabime proceduriale në periudhën e aterimit, për nga lartësia dhe nga vendi, në aeroportin në Mostar, në fluturim të kontrolluar”. Në raportin e dytë janë theksuar edhe disa mangësi sistematike, ndërsa është publikuar edhe transkripti i kutisë së zezë, respektivisht gjithë biseda mes pilotëve dhe biseda me kontrollin e fluturimit.

Shtatë procedura gjatë fluturimit nga ana e pilotëve dhe pesë gabime sistematike të institucioneve kompetente në Maqedoni dhe në BeH janë shkaqet për rrëzimin e “kingerit”, citohet në raportin e ri që e prezantoi Kuliq.

Në aksidentin ajror krahas presidentit Boris Trajkovski, jetën e kanë humbur edhe zëdhënësja Dimka Ilkova-Boshkoviq, këshilltarët Risto Bllazhevski dhe Anita Krishan Llozanovska, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mile Kërstevski, truprojat Ace Bozhinovski dhe Boris Velinovski, si dhe piloti dhe bashkëpiloti Marko Markovski dhe Branko Ivanovski.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme