Bajrami në Maqedoni: Me bashkëpunim joshim investitorët e huaj

Prishtinë | 16 Gus 2016 | 14:47 | Nga

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e shoqëruar nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, qëndroi sot në vizitë zyrtare në Maqedoni.

Ajo u prit nga ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Driton Kuçi. Temë kryesore e takimit bilateral të ministrave Bajrami dhe Kuçi ishte rritja e bashkëpunimit ekonomik në mes Kosovës dhe Maqedonisë.

Ministrja Bajrami falënderoi ministrin Kuçi për pritjen e përzemërt dhe për diskutimet e frytshme në funksion të rritjes së intensitetit të bashkëpunimit ekonomik në mes të dyja vendeve.

Ajo shprehu ngushëllimet e Qeverisë së Kosovës për Qeverinë e Maqedonisë për tragjedinë e ndodhur ditë më parë si pasojë e fatkeqësisë natyrore, e cila erdhi si rezultat i vërshimeve të mëdha.

“Qeveria e Kosovës i bashkohet dhimbjes së familjeve të cilat kanë humbur më të afërmit e tyre dhe është e gatshme të jap kontributin e saj në mbështetje për popullin dhe qeverinë e Maqedonisë”, tha ajo

Ministrja Bajrami nënvizoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për kultivimin e raporteve të mira ekonomike me Maqedoninë. Ajo foli për reformat ekonomike të cilat i ka ndërmarrë qeveria e Kosovës dhe të cilat po japin efekte pozitive në ngritjen e performancës së bizneseve dhe rritjes së investimeve të huaja direkte në vendin tonë.

Ministrja Bajrami dhe ministri Kuçi konstatuan se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në mes Kosovës dhe Maqedonisë janë të mira, dhe se ka mjaft hapësirë që ato të intensifikohen edhe më tej përmes iniciativave të reja dhe investimeve të përbashkëta nga kompanitë e të dyja vendeve.

Pas takimit bilateral të ministrave si dhe të delegacioneve të të dyja qeverive, ministrat Bajrami dhe Kuçi mbajtën edhe një konferencë për shtyp ku u shprehën se do të vazhdojnë punën e përbashkët institucionale në drejtim të rritjes së nivelit të bashkëpunimit ekonomik të të dyja shteteve.

Me këtë rast ministrja Bajrami tha se ajo dhe ministri Kuçi janë dakorduar që të punojnë ngushtë në shkëmbimin e përvojave qeveritare sa i përket përmirësimit të ambientit të të bërit biznes dhe rritjes së atraktivitetit të ekonomive tona sa i takon tërheqjes së investimeve të huaja direkte, sepse, siç tha ajo “Bashkëpunimi ynë në këtë drejtim na bën më joshës për investitorët e huaj sepse ekonomitë tona janë komplementare dhe sa më i madh të jetë bashkëpunimi ndërmjet nesh aq më shumë do të kemi sukses në tërheqjen e kompanive të mëdha ndërkombëtare” nënvizoi ajo.

“Ne kemi filluar ta implementojmë Marrëveshjen për Stabilizim Asociim që nga muaji prill i këtij viti dhe në këtë drejtim shohim mundësi bashkëpunimi të frytshëm me Republikën e Maqedonisë duke marrë për bazë përvojat e Maqedonisë sa i përket zbatimit të MSA-së në disa aspekte si: përmirësimi i infrastrukturës së cilësisë, reformimi i sistemit të inspektimeve, mbrojtja e konsumatorit, etj.” theksoi ajo.

Në takim është diskutuar edhe rreth bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe ministrat u pajtuan se ky bashkëpunim duhet të konsolidohet më shumë si në nivelin institucional ashtu edhe në mes të subjekteve afariste që operojnë në fushën e turizmit.

“Ne jemi vende të vogla por me një ndërveprim më të madh mund të dalim më të pasur dhe më kompetitiv në aspektin e ofertës për turistët e huaj” potencoi ministrja Bajrami.

Ministrat Bajrami dhe Kuçi vlerësuan rolin që kanë Asociacionet e Biznesit, përkatësisht Odat Ekonomike të vendeve tona të cilat janë ura të rëndësishme lidhëse të ndërtimit të bashkëpunimit afarist në mes bizneseve nga të dyja vendet, konstatuan ata.

Ministrja Bajrami tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për të kultivuar raporte partneriteti me Maqedoninë si një vend me të cilin ndan sfida të përbashkëta në rrugën drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimeve euroatlantike në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

unnamed (1)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme