Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Fatmir Krasniqi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 01.12.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 01.01.2022, ndaj të pandehurit G.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik, nga neni 370 par. 8 nën par. 6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, shkruan EkonomiaOnline.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:
-Më datë 01 dhjetor, në orët e mbrëmjes në Prizren duke drejtuar automjetin, nga pakujdesia e në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Publik, ka rrezikuar pjesëmarrësit në komunikacion dhe ka vu në rrezik jetën e njerëzve, në atë mënyrë që i pandehuri duke mos ja përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve dhe rrethanave në rrugë, i njëjti nuk i jep përparësi kalimi këmbësorëve që ishin duke kaluar në vendkalimin për këmbësor, ku me pjesën e përparme të anës së djathtë të automjetit e godet të dëmtuarin M.Gj., duke e hedhur në një distancë dhe gjatë ndaljes së automjetit i kalon sipër të dëmtuarit me rrotën e pasme të anës së djathtë, me ç’ rast i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore me rrezik për jetën, me plagë të rënda në pjesë vitale të trupit, të cilat lëndime janë të konstatuara në raportin mjekësor
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka vlerësuar se me qëndrimin në liri i pandehuri mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga organet e ndjekjes dhe përgjegjësia penale, gjithashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, ku i pandehuri në zonë ku janë të shënjuar vendkalimet për këmbësorë drejton veturën me shpejtësi dhe rrezikon jetën e të dëmtuarit, arsyetojnë vendimin që ndaj të pandehurit të caktohet masa e paraburgimit.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale me qëllim të parandalimit të ikjes së të pandehurit, zhvillimit normal të hetimeve dhe pengimin e përsëritjes të ndonjë vepre tjetër penale.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.