Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 31 vatra zjarri në vend, nga të cilat 3 mbeten aktive dhe 6 janë nën mbikëqyrje.
Vatrat aktive ndodhen në Malin e Dajtit, Ballenjë të Dibrës dhe Qafën e Helmës në Bulqizë, ndërsa sipas autoriteteve nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 370 forca operacionale, 22 mjete zjarrfikëse, 70 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë, shkruan A2CNN.
Ndërkohë, Ministria njofton se situata në Pukë është përmirësuar ndjeshëm, ku zjarret në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë shuar plotësisht dhe zonat po mbahen nën monitorim.