79% e fëmijëve të moshës 24-35 muajsh janë të imunizuar

Prishtinë | 24 Pri 2017 | 11:42 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe UNICEF-in po shënojnë Javën Botërore të Imunizimit e cila do të mbahet gjatë javës (24-30 prill), dhe synon ta promovojë përdorimin e vaksinave për t’i mbrojtur njerëzit e të gjitha moshave kundër sëmundjeve.

Në një takim të aktorëve të organizimit të  Javës Botërore të Imunizimit u tha se çdo vit imunizimi shmang rreth 2-3 milionë vdekje të fëmijëve nga sëmundjet vdekjeprurëse që i prekin fëmijët në mënyrë joproporcionale. Ndërsa në Kosovë u theksua se 79 për qind e fëmijëve të moshës 24-35 muajsh janë të imunizuar plotësisht.

Megjithatë, mbulimi i imunizimit mbetet shumë më i ulët në mesin e komuniteteve rome, ashkalinj dhe egjiptiane, ku më pak se një e treta e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë 24-35 muajsh janë plotësisht të imunizuar (30%).

Java përqendrohet në nevojën për ta rritur ndërgjegjësimin e hartuesve të politikave, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe kujdestarëve, si dhe popullatës më të gjerë, për rëndësinë e imunizimit në mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet parandaluese, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se imunizimi është një nga aktivitetet që parandalojnë sëmundjet, dhe sipas tij, kjo reflekton në aspektin ekonomik dhe emocional të Kosovës.

“Kosova ka qenë në trend të shteteve të suksesshëm të imunizimit të fëmijëve, jemi duke punuar shumë të rrisim imunizimin e minoriteteve, ne jemi duke hartuar strategjinë për vaksinim që është në kuadër dhe planit të Qeverisë”, tha Rrahmani.

James Mugaju, zëvendësshef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë tha se nuk ka mënyrë më të mirë për prosperitetin e një vendi sesa mbrojtja e fëmijëve, e posaçërisht mbrojtja e tyre përmes vaksinimit.

“Java e imunizimit është një jave e rëndësishme për të shënuar dhe për të gëzuar suksesin që është arritur përmes imunizimit dhe për të bërë thirrje për të arritur të gjithë fëmijët të cilët nuk janë arritur deri tani”, tha ai.

Ai tha se sipas të dhënave që posedon në Kosovë 79 përqind e fëmijëve të moshës 24-25 muajsh janë të vaksinuar plotësisht, përderisa vetëm 1/3 janë të vaksinuar në mesin e komunitetit rom ashkali dhe egjiptian.

Mugaju ka vlerësuar se ka progres në këtë aspekt por ende mbetet shumë për t’u bërë veçanërisht për grupet komunitare.

Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHP-së, tha se për të zvogëluar shkallën e lartë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, objektivi kryesor i Programit të Zgjeruar të Imunizimit është arritja e shkallës së lartë të përfshirjes me vaksinim të rregullt sidomos te fëmijët e grup-moshës 0 deri 12 muaj.

“Viteve të kaluara përfshirja me imunizim në Kosovës është ngritur në 95% që është përfshirje e lartë që na bën të radhitemi mes shteteve më të suksesshme në botë”, tha Ramadani. Ai theksoi se falë vaksinimit, Kosova nuk ka sot paraliza të fëmijëve nga 1981, nuk ka difteri nga 1981, tetanos neonatal nga 1998 si dhe ka përqafuar Programin e Eliminimit të Fruthit dhe Rubellës kongjenitale.

Doajeni i imunizimit në Kosovë, profesori Jusuf Dedushaj tregoi për historikun e vështirë nëpër të cilin ka kaluar ky proces dhe sukseset e mëdha që janë arritur, falë profesionistëve shëndetësor dhe bashkëpunimit me prindërit, duke eliminuar sëmundje vaksinë preventabile.

Gjatë kësaj jave, synohet të rritet ndërgjegjësimi për rëndësinë vendimtare të imunizimit të plotë gjatë gjithë jetës dhe rolin e saj në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në 2030.

Imunizimi është një nga nismat më të suksesshme të shëndetit publik dhe programet shëndetësore me kosto më efektive. Vaksinat kanë efekt në ruajtjen dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Zgjerimi i qasjes ndaj imunizimit është vendimtar për arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Vaksinimi rutinor është ndërtim i një shtylle të kujdesit primar shëndetësor dhe mbulimit universal shëndetësor. Imunizimi siguron një pikë kontakti për kujdesin shëndetësor në fillim të jetës dhe i ofron çdo fëmije mundësinë për një jetë të shëndetshme që nga fillimi.

MeSH, UNICEF, IKSHP dhe OBSH do të vazhdojnë t’i mbështesin fuqishëm përpjekjet e vaksinimit me qëllim që ta parandalojnë ri-shfaqjen e sëmundjeve tepër ngjitëse, që shkaktojnë sëmundje, paaftësi dhe vdekje dhe e vendosin një barrë të konsiderueshme mbi sistemet e kujdesit shëndetësor.

Vaksinat janë falas dhe në dispozicion në objektet shëndetësore në mbarë Kosovën.

Të ngjashme