Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar hetimet në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentative”, rastin ku gjatë pasdites së djeshme në rrugën “Arbnor dhe Astrit Dehari” para Ministrisë së Industrisë, një veturë në qarkullim u godit me armë zjarri.
Këtë për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Laureta Ulaj.
“Rasti të cilit i referoheni, ju njoftojmë se prokurori kujdestar ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë” dhe në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të identifikimit të dyshuarve, si dhe ndriçimit të të gjitha rrethanave të kësaj çështje penale”, tha ajo.
Ndryshe, sipas Policisë janë ngritur dyshimet se një person i dyshuar, nga një motoçikletë në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture.
“Rreth orës 15:40, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën Arbnor dhe Astrit Dehari në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Tutje ajo ka thënë se hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit i cili është cilësuar vrasje në tentativë.