Qeveria e Kosovës i ka lënë për më shumë se dy orë jashtë ndërtesës së saj gazetarët, të cilët ishin duke e përcjellë takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me emisarin amerikan në bisedimet Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raporton Ekonomia Online.
Takimi tre palësh ndërmjet Kurtit-Escobar-Lajçak, ishte paralajmëruar edhe nga ekzekutivi përmes një komunikate për medie.
Gazetarët që po qëndrojnë aty në temperatura të ftohta, janë lënë në temperatura afër zeros. Në katin përdhesë është salla e konferencave, por gazetarëve dhe kameramanëve nuk iu është mundësuar që të presin aty.
“Në kohën e Qeverisë Haradinaj, e pat vënë në dispozicion të gazetarëve këtë sallë, duke e pajisur edhe me disa kompjuterë të lidhur me internet”‘, tha një gazetar, i cili raporton tash sa vjet për politikë dhe çështjet që lidhen me Qeverinë.
Ai nuk ka dashur që të flasë para kamerës. “Jo se po na shajnë militantët partiakë nëpër rrjete sociale”, u shpreh ky gazetar.