Ligji për përftimet e ish-Zyrtarëve të Lartë është kritikuar në vazhdimësi nga pushtetit aktual, gjatë kohës sa ishin në opozitë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë kohës sa ishte në opozitë në pozitën e Kryetares së Komisionit për Legjislacion në vitin 2018, ishte shprehur se ky ligj dhe Ligji për Presidentin duhet të ndryshohen, pasi me këto ligje ka shumë benificione.
“Ka ardhë koha kur ne duhet t’i shkurtojmë disa prej përfitimeve të ish zyrtarëve të lartë, por edhe benificionet që i kanë zyrtarët e lartë, aktualisht. Edhe ne kemi shumë ligje të cilat e rregullojnë këtë fushë, për shembull e kemi ligjin për përfitimet e ish- zyrtarëve të lartë. Për mua mbetet e pakuptueshme se si deputeti merr edhe pagë edhe shtesa në komisione dhe seanca parlamentare. Sa i përket presidentit, pas përfundimit të mandatit kanë të drejtë familja e tij sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë gjithë jetës, pastaj bursa për fëmijët”, ishte shprehur Haxhiu.
Edhe opozitari i dikurshëm, Glauk Konjufca, tashmë Kryetar i Kuvendit të Kosovës, ishte shprehur se ky ligj është përgatitur me qëllim që politikanët t’ia bëjnë vetes vendin sa më luksoz, atëherë kur nuk do të jenë më në pozita.
“Kur e kam lexuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë, e kam kuptuar se kryeministri Hashim Thaçi po përgatitet për pensionim politik. Tash kur kryeministrit po i afrohet fundi politik, ai ka filluar t’i ndryshojë ligjet për t’ia bërë vetes vendin sa më luksoz, atëherë kur nuk do të jetë më aty ku është. Arsyet janë të qarta, nëse e lexojmë Ligjin. Ky është një ligj që e tregon makutërinë e zyrtarëve tanë shtetërorë”, ishte shprehur Konjufca aktulisht kryetar Parlamenti.
Konjufca kishte thënë se Lëvizja Vetëvendosje është kundër këtij projektligji dhe kundër këtij ligji.
“Pra, kundër këtij projektligji që ligjin ashtu të keq e bën edhe më skandaloz. Ky ligj dhe projektligj është shembulli më i mirë dhe ilustrativ se si zyrtarët tanë politikë institucionet e Kosovës i kanë kthyer në salltanete personale, në vend që t’i trajtojnë si instrumente shërbyese për qytetarin”, kishte thënë Konjufca.
Por me të ardhë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse janë në vitin e tretë të mandatit, këto privilegje të zyrtarëve të lartë shtetërorë, nuk i kanë diskutuar asnjëherë në publik dhe poashtu ato nuk janë paraparë askund në agjendën legjislative për t’i ndryshuar. Shfuqizimi i këtyre privilegjeve, nuk është përfshirë as në ligjin për pagat të miratuar këtë vit.
Ndryshe, nga Qeverisja e Kurtit, shfuqizimi i këtij Ligji ishte bërë në miratimin e Ligjit për Paga në vitin 2019, kur Qeveria udhëhiqej nga Kryeministri Ramush Haradinaj, por që ky ligj nuk kishte kaluar filtrat e Gjykatës Kushtetuese.
Aty parashihej se funksionari shtetëror ka të drejtë kompensim kalimtar për 5 vjet në vlerë prej shtatëdhjetë për qind (70%) të pagës bazë të fundit, shofer, asistent, veturë dhe zyrë. Këtë të drejtë zyrtari i lartë do ta fitonte, nëse zyrtari ka ushtruar të paktën 1 vjet nga funksioni i tij.
“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të informohet nëse në agjendën legjislative, do të parashohin ndryshimin e ligjeve përsa i përket këtyre privileve, por nuk janë përgjigjur. Pavarësisht se nuk kanë bërë asnjë lëvizje që këto privilegje të ndalen, ashtu siç kanë kërkuar në kohën sa ishin në opozitë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, edhe tani shprehet kundër privilegjeve, por thotë se kjo kompetencë nuk i takon ministrisë që ajo udhëheq.
“Unë patjetër konsideroj që ai Ligj të adresohet, sepse siç e kemi thënë në vazhdimësi, janë të pakuptimta privilegjet të cilat i adreson ai projektligj në fakt, por kjo është kompetence e Ministrisë përkatëse, për administratën publike”, ka thënë ajo në një prononcim të shkurtër për “Betimi për Drejtësi”.
Ndonëse nga Ministria e Drejtësisë thonë se për këtë ligj, duhet drejtuar tek Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratë Publike, si sponsorizuese e këtij ligji, sipas këtyre të fundit, as ata nuk janë sponsorizues të këtij ligji. Edhe ministria e Xhelal Sveçlës, ka thënë që ata s’janë kompetentë, por duhet drejtuar tek Zyra e Kryeministrit.
Pagat e të parëve të shtetit pasi i lanë detyrat
Mjaftojnë 6 muaj punë në krye të pozitave udhëheqëse të shtetit, për të siguruar gjithë jetën me pagë të majme e përfitime tjera.
Kjo mundësohet falë Ligjit për Përfitimet e ish-zyrtarëve të Lartë dhe Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës.
Ish-presidentët pas përfundimi të mandatit përfitojnë 70% të pagës aktuale të kësaj pozite si dhe privilegje tjera të shumta.
Por sa kanë përfituar ata ndër vite?
Fatmir Sejdiu, ish-President i Republikës së Kosovës nga tetori 2010 deri në mars 2023, nga paga mujore ka marrë mbi 300 mijë euro. Veç kësaj, ai ka të angazhuar edhe tre punëtorë si staf mbështetës paga e të cilëve për secilin për çdo muaj është nga 594 euro. Si dhe shpenzime për mbushje te telefonit për çdo njërin 40 euro në muaj.
Sipas të dhënave nga Zyra e Presidencës, ish-Presidenti Sejdiu, mesatarisht ka shpenzuar 95 euro në muaj për karburante dhe shpenzimet maksimale të lejuara për reprezentacion janë deri në 100 euro.
Sejdiu gjithashtu ka shpenzuar edhe mbi 4 mijë e 200 euro në udhëtime zyrtare nga viti 2013 deri në vitin 2022.
Për udhëtime zyrtare dhe akomodim, më shumë del të ketë shpenzuar ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga. Që nga 2016 deri në 2022, Jahjaga në këtë kategori ka shpenzuar mbi 43 mijë euro.
Ndërsa nga paga e saj mujore, nga prilli 2016 deri në marsin 2023 rezulton se ka marrë rreth 170 mijë euro, shkruan Betimi për Drejtësi.
Edhe ish-Presidentja Jahjaga ka të angazhuar 3 punëtorë staf mbështetës, paga e të cilëve është 594 euro në muaj dhe 40 euro shpenzime për mbushje telefonike.
Ajo mesatarisht për një muaj ka shpenzuar 85 euro derivate si dhe shuma e lejuar për reprezentacion është deri në 100 euro.
Edhe ish-Presidentit Hashim Thaçi i ka vazhduar paga mujore dhe nga nëntori 2020 deri në mars 2023 rezulton se ka marrë shumën prej 83 mijë euro.
Ndërsa nga paga e saj mujore, nga prilli 2016 deri në marsin 2023 rezulton se ka marrë rreth 170 mijë euro.
Sipas Ligjit për përfitimet e ish-zyrtarëve të lartë, këto përfitime që i ofron ligji, ish-funksionarit të lartë nuk i takojnë nëse gjatë ushtrimit të funksionit ai ose ajo shpallen fajtor me vendim të formës së prerë të gjykatës për vepër penale të dënueshme me burgim mbi gjashtë muaj.
Gjithashtu, një përfitim i tillë nuk paguhet, nëse ish-Zyrtari i Lartë ushtron ndonjë funksion për të cilin paguhet nga Buxheti i Kosovës dhe për të cilin është përcaktuar një pagë e barabartë ose më e lartë se paga që ka marrë gjatë ushtrimit të funksionit në krye të institucionit përgjegjës.
Në rast se ish-zyrtari i lartë vdes, atëherë nga ky ligj përfiton e veja ose i veu dhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare dhe kanë të drejtë të marrin një përfitim monetar në një vlerë vjetore prej 60 %.
Ndërsa, me Ligjin për Presidentin e Republikës së Kosovës, ish-Presidenti dhe familja e tij ose saj, kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës, si dhe përfitime të tjera të përcaktuara me këtë ligj.