Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka quajtur të pavërteta raportimet se i kanë favorizuar komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, sa i përket ndarjes së buxhetit për vitin tjetër, raporton Ekonomia Online.
Sipas Muratit, raporti i prezantuar nga Instituti GAP ka pasur tendencë keqinformimin.
“Kjo është e pavërtetë. Nëse qëllimi i atij raporti ka qenë dezinformimi i qytetarëve mund të them se ia kanë arritur. Është e pavërtetë që ka dallim apo favorizim të komunave. Atë që është prezantuar në atë raport bëhet fjalë për 13 milionë euro nga 860 milionë euro investime kapitale. Çka nuk trajton ajo analizë është edhe fakti që edhe projektet e reja i merr vetëm sipas kodit”.
Ministri i Financave ka këmbëngulur se komunat asnjëherë s’kanë pasur më shumë buxhet. Murati tha se gjithë zhurma po bëhet për 13 milionë euro “ndërsa pardje ne i nënshkruam 80 milionë euro për komunën e Prishtinës”.
“Kjo zhurmë po bëhet për 13 milionë euro. Na pardje i nënshkruam 80 milionë euro për komunën e Prishtinës. Komunat kurrë më shumë buxhet nuk kanë pas. Është shtu për 200 milionë euro buxheti për komunat”, ka thënë Murati.
Në një analizë për ndarjen buxhetore, Instituti GAP ka konsideruar se Qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat në të cilat udhëheq për vitin 2024. Nga 21.8 milionë euro për investimet kapitale të reja, mbi 13 milionë janë bërë për katër komunat që i udhëheq VV-ja.
Murati tha se Qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ajo çka është prezantuar në atë raport, që po tentohet të pasqyrohet edhe nga opozita si diçka që është diskriminuese ndaj komunave të caktuara, bëhet fjalë për rreth 13 milionë euro nga 860 milionë euro investime kapitale. Pra, investimet kapitale janë 860 milionë euro, kurse raporti në atë tabelë është vetëm 1.5 për qind e buxhetit, ndërsa 98.5 për qind e buxhetit nuk e trajton ai raport”.
“Për më tepër, çka nuk trajton ai raport është edhe fakti që ndarjet e reja dhe të vjetra i merr vetëm sipas kodit. Shembull, mund të jetë një projekt, ta zëmë stadiumi “Adem Jashari” mund të ketë qenë për vite të tëra me ndarje buxhetore 100 mijë euro dhe s’është zbatuar, ka mbetur djerrinë. Pra, për vite të tëra ka pasur nënbuxhetim, por ai llogaritet si projekt i vjetër”.
“Por nëse tash MKRS-ja ia alokon, me siguri 4-5 milionë euro, 4.9 milionë euro janë mjete të reja. Por, ai raporti që është prezantuar nga shoqëria civile, e sidomos është përdorur nga opozita, thotë që investimet e reja aty janë zero, pavarësisht se janë shtuar 4.9 milionë euro. E këtu kemi edhe shumë projekte të reja që kanë të bëjnë me projekte që jo domosdo ekzekutohen përmes buxhetit”.
LEXONI EDHE:
