Prokuroria e Specializuar e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Speciale për ta dënuar me 18 vjet burgim ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.
Prokurorja e Specializuar, Kimberly West e mirëpriti aktgjykimin, duke e konsideruar si “hap të rëndësishëm për sundimin e ligjit”.
“Arritja e vënies para përgjegjësisë për krime të rënda – përfshirë edhe kundër atyre personave si z. Shala që kishin shmangur më parë për disa vjet juridiksionin e gjykatave të Kosovës – është një hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit”, tha West në një reagim.
“Dita e sotme është gjithashtu një ditë kur ne kujtojmë dhe përulemi para viktimave të krimeve të z. Shala, që ishin kryesisht shqiptarë të Kosovës, dhe atyre familjeve që kanë pritur për një çerek shekulli që i Akuzuari të vihet para përgjegjësisë”, shtoi ajo.
Shala u shpall fajtor për tri akuza për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Krimet e pretenduara, sipas gjykatës u kryen në periudhën prej rreth 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që thuhet se mbaheshin të paraburgosur në Uzinën Metalike në Kukës të Shqipërisë.
Sipas Trupit Gjykues, të paktën 18 persona ishin mbajtur në kushte çnjerëzore e degraduese dhe i ishin nënshtruar abuzimit psikologjik e fizik, dhe një nga viktimat u vra.