Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, falënderoi qytetarët e Kosovës dhe mërgatën për mbështetjen e jashtëzakonshme gjatë 11 ditëve të para të fushatës, shkruan Ekonomia Online.
Ai theksoi se kjo mbështetje tregon dëshirën e popullit për një të ardhme më të mirë dhe për të mbështetur Bedri Hamzën si Kryeministër.
Krasniqi ftoi qytetarët që të bashkohen në takimet e fushatës deri më 9 shkurt dhe të kontribuojnë për një fitore të madhe për Kosovën.
“Në këto 11 ditë të para të fushatës, kemi ndjerë mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme nga çdo komunë e vendit dhe nga mërgata. Kjo mbështetje po na tregon se ju dëshironi #MaMirë. Po na dëshmon se ju jeni gati që bashkë ta ndërtojmë një të ardhme të re për Kosovën. Ju falënderojmë që po besoni në vizionin tonë dhe po e mbështesni Bedri Hamzën për Kryeministër. Ftoj të gjithë qytetarët që t’i bashkohen takimeve tona në komunat e tjera deri më 9 shkurt. Bashkë, atë mbrëmje, do ta shënojmë fitoren e madhe për Kosovën tonë”, ka shkruar Krasniqi