Zyrtari i BE-së thotë se ish-zyrtarja e tyre nuk e ka dhënë grantin për të cilin akuzohet

Prishtinë | 07 Mar 2025 | 18:34 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë marrjes në pyetje nga avokati Kujtim Kërveshi, dëshmitari Michail Papagiannis tha se Albina Nura nuk e ka dhënë grantin për të cilin akuzohet në këtë rast ndaj kompanisë së auditimit “Baker Tilly”, ku dyshohet si bashkëpronare, por ka dhënë grante në raste të tjera.

“Për këtë procedurë të grantit jo, por kemi projekte të tjera që Albina ka qenë menxhere e detyrës dhe “Baker Tilly” ka qenë i përcaktuar që ka bërë auditimin për projektin që është marrë ajo”, tha dëshmitari Papagiannis.

Në këtë rast, Nura akuzohet që i ka shkaktuar dëm buxhetit të BE-së 500 mijë euro, me çka ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Konflikt i interesit”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Tutje, avokati Kërveshi lidhur me deklarimin që kishte bërë dëshmitari herën e kaluar konflikti të interesit në raport me kompaninë “Baker Tilly” dhe të mbrojturës së tij, se a ka prova lidhur me atë nëse Nura ka qenë pjesë e aktivitete të prokurimit, dëshmitari tha që  e akuzuara nuk ka qenë pjesë e komisionit vlerësues.

“Me sa di unë, Albina nuk ka qenë pjesë e atij komisioni vlerësues, por po diskutojmë që ky aktivitet i jashtëm nuk i është komunikuar zyrës së BE dhe nuk i është bërë me dije as marrëdhënia e saj me Baker Tilly”, shtoi tutje dëshmitari.

Tutje, avokati Kërveshi, duke shqyrtuar raportin e OLAF-it, theksoi se ky raport përmend që trajnimi i stafit është bërë për herë të parë në maj 2017. Ai citoi gjithashtu se ‘një kopje e udhëzimit ju bashkëngjit kontratave ekzistuese të personelit vendor si udhëzim formal dhe shënimi u rilëshua sërish në qershor të vitit 2017.

Mbi këtë Kërveshi pyeti dëshmitarin, nëse është e saktë që zyra ndërlidhëse e BE-së, veçanërisht para vitit 2016, nuk ka pasur rregulla në fuqi dhe nuk ka ofruar trajnim për stafin vendor mbi udhëzuesin e etikës dhe sjelljes për agjentët vendorë në delegacion, për të cilën dëshmitari tha që nuk ka njohuri.

“Nuk kam qasje në informata lidhur me ato trajnime të mëparshme sepse janë çështje që i përkasin administratës dhe jo departamentit të financave. Por e di që pjesë e kontratave për stafin vendor, si për stafin ndërkombëtar, ka klauzola që flasin për paanshmërinë dhe konfliktin e interesit”, shtoi dëshmitari.

Tutje, Kërveshit pyet lidhur me deklarimin e dëshmitarit për deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, në të cilën shënohet edhe emrat e tre personave, staf të BE-së të cilët kanë qenë anëtarë të komsionit vlerësuese.

Lidhur me atë nëse dëshmitari ka njohuri se a kanë qenë subjekt i hetimit të OLAF-it këta persona për shkelje të kodit të etikës dhe konflikt të interesit në raport me këtë aktivitet të prokurimit, dëshmitari tha që nuk ka njohuri.

Për këtë, avokati Kërveshi tha që bazuar në raportin e OLAF-it, as kryesuesi i aktivitetit të prokurimit dhe as dy zyrtarët e tjerë nuk figurojnë si të intervistuar nga OLAF-i.

Seanca u ndërpre për të vazhduar në seancën e rradhës në marrjen në pyetje të dëshmitarit nga mbrojtja.

Aktakuza ndaj Nurës ishte ngritur më 18 maj 2021, në të cilën thuhet se ajo i kishte shkaktuar dëm buxhetit të BE-së 500 mijë euro, me çka ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Konflikt i interesit”.

Të ngjashme