Votimi i javës se kaluar në mbledhjen e KQZ-së, ka përplasur anëtaret e saj

Prishtinë | 10 Mar 2025 | 12:35 | Nga Gzim Mujaj

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e PDK-së Ilir Gashi, ka kritikuar kryetarin e KQZ-së që në mbledhjen e mbajtur javën e kaluar, ku u dha rekomandimi për rinumërimin e të gjitha votave me postë nga diaspora që u shpallën të pavlefshme, anëtare nga opozita edhe pse nuk morën pjesë në votim, ato vota nga kryetari u konstatuan si abstenim, raporton Ekonomia Online.

Gashi tha se prezenca në mbledhje nuk nënkupton votë.

“Ju keni nxjerrë një vendim me të cilin i jeni përgjigj PZAP’së se KQZ nuk e ka miratu rekomandimin e ardhur nga Sekretariati gjë e cila nuk është e vërtetë. KQZ atë ditë nuk ka nxjerrë vendim. I keni videot, në mbledhje kanë qenë 7 anëtarë, 4 kanë votu pro dhe 3 s’kanë marrë pjesë fare në votim. Vetëm prezenca fizike nuk nënkupton votë”, tha Gashi.

Kryetari i KQZ, Kreshnik Radoniqi tha se kur ai kishte konstatuar tri abstenime, anëtaret e opozitës nuk kishin reaguar.

“Mbledhjen e kaluar unë e konstatova dhe ju ishit prezent, është dhe në media, që janë katër vota për, dhe tri abstenime dhe asnjëri nga ju nuk reaguat. Ju nuk reaguat. Nuk është çështja këtu, keni afat edhe 24 orë me bo ankesë”, tha Radoniqi.

Gashi tha se do të ankohet për këtë.

“Nëse kjo përsëritet atëherë duhet të përballemi me ankimime të vendimmarrjes në këtë institucion se nëse unë nuk e ngris dorën ju nuk mund të ma konstatoni votën time se a është pro, kundër apo abstenim”, tha Gashi.

E anëtari i KQZ nga radhët e VV-së, Alban Krasniqi, akuzoj anëtaret e opozitës se janë duke kaluar kompetencat për të ndaluar atë që nuk mund të ndalet.

“I keni kaluar kompetencat si anëtarë të KQZ-së tu u mundu me i nalë diçka që s’nalet. E vërteta mbi ato fletëvotime”, tha Krasniqi.

Pas këtij reagimi kryetari i KQZ-së e mbylli mbledhjen.

“Me kaq përmbyllet mbledhja”, tha Radoniqi.

Të ngjashme