Ambasadori i Serbisë në Britani Goran Aleksiq u shfaq në televizionin britanik Sky News, ku foli për përdorimin e topit zanor në protestën e mbajtur më 15 mars.
Në momentin kur tha se askush nuk përdori armë ilegale ndaj protestuesve, drejtuesja e emisionit Jalda Hakim i kujtoi një sërë kontradiktash në deklaratat e zyrtarëve më të lartë të qeverisë serbe.
“Por kur shikoni deklaratat e 15 marsit, ministri i Brendshëm mohoi që atë ditë të ishte përdorur bombë zanore ndaj protestuesve. Kjo mbështetet nga deklarata e Presidentit, i cili mohoi fare posedimin e armëve të tilla. Më pas, më 18 mars, Ministri i Brendshëm tha se shteti e kishte marrë LRAD 100X, ndërsa Presidenti i Serbisë vazhdonte të mohonte se Serbia posedon armë të tilla, ndërsa ministri i Brendshëm e pranonte se vendi ka armë të tilla”, tha Hakim.
Ambasadori në atë moment u përpoq të shpjegonte se ekzistonte një mjet “që mund t’i dërgonte një mesazh masave të njerëzve”.
“Unë nuk jam ekspert, por nga sa kuptova nga deklaratat e ministrit të Mbrojtjes, ekziston një altoparlant që mund të përdoret për të përforcuar zërin apo mesazhin për masat në vendet ku duhet të dërgohet mesazhi”, tha Aleksiq.
“Pra, keni përdorur armë””, pyeti gazetari, të cilin ambasadori vazhdoi ta mohonte.
“Jo, nuk kemi përdorur armë dhe ju kemi thënë se kemi ftuar ekspertë nga vende të tjera që të vijnë dhe të hetojnë, është thënë se ka pasur një pajisje që mund të përdoret për të dërguar sinjal paralajmërues, por zyrtarët shtetërorë kanë mohuar përdorimin e armëve të tilla”, tha ai.
Gazetari e ka rikthyer në çështjen e ndryshimit të deklaratave të zyrtarëve për përdorimin e armëve, duke e pyetur nëse mund të thuhet se deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme bie ndesh me atë të Presidentit, për të cilën ambasadori tha se ai nuk bën komente apo deklarata të tilla.