Mbi tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe gati një muaj pas fillimit të seancës konstituive (nga 15 prilli) nuk u konstitua Kuvendi i Kosovës. Dështoi edhe vazhdimi i sotëm i seancës, përpjekja e 14-të me radhë për konstituim të këtij institucioni ligjvënës, raporton Ekonomia Online.
Vazhdimi i sotëm ishte i njëjtë me vazhdimet e mëparshme: përsëri tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.
Kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.
Ishin 54 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Dehari bëri të ditur se seanca ndërprehet dhe se do të vazhdojë më 13 maj, në orën 10.00.
Vetëvendosje nuk po heq dorë nga kandidimi i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke këmbëngulur se është gruaja më e votuar, ndërsa tri partitë e tjera më të mëdha PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë kundër kësaj kandidateje, duke e cilësuar si figurë përçarëse.
Kurti nuk u përgjigjet gazetarëve, Kusari: Opozita po bën shkelje me mosvotim në Kuvend
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se edhe sa do të vazhdojë situata e dështimit të konstituimit të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa, deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, tha pas vazhdimit të sotëm të seancës konstituive se opozita është duke bërë shkelje me mosvotim në Kuvend, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se opozita me mbledhjen e nënshkrimeve për shfuqizimin e vendimit të ZRRE-së, është duke bërë propagandë, pasi këto veprime, sipas saj, nuk kanë asnjë efekt.
“Kemi ardhur në një situatë paradoksale në raport edhe me kërkesat dhe veprimet e opozitës, që do të duhej të ishte aktivisht e angazhuar në votim. Po bëjnë veprime, po bëjnë shkelje në Kuvend, duke mos votuar. Nuk kanë asnjë efekt, siç është rasti me çështjen e vendimmarrjes së ZRRE-së. Janë duke mbledhur nënshkrime. Ngritje e çështjeve që nuk kanë asnjë efekte real, përveçse propagandë që kinse po brengosen për qytetarët”, tha Kusari-Lila.
Krasniqi: Kurti po tallet, kaloi mbi një muaj e s’kemi Kuvend të konstituar, nëse kjo s’ është krizë nuk e di çka po flet ai
Kryetari i PDK Memli Krasniqi, pas dështimit të vazhdimit të 14-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e quajti tallëse deklaratën e kryeministri në detyrë, Albin Kurti se nuk ka krizë politike në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
“Albin Kurti nuk i ka numrat për t’u bërë kryeministër. Ajo është një deklaratë tallëse. Është një krizë që po thellohet çdo ditë. Kanë kaluar me shumë se një muaj dhe nuk kemi Kuvendin e konstituar. Nëse kjo nuk është krizë nuk e di çka po flet Kurti. Ne kemi fatkeqësi institucionale, për shkak të tij, insistimit të tij për një kandidate për kryetare të Kuvendit që nuk i ka dhe nuk do t’i ketë votat”, tha Krasniqi.
Haziri: S’ka vakum institucional, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit s’mund të ndahet nga marrëveshja për qeverinë
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se paralajmërimi i djeshëm i kryeministrit në detyrë se Kosova po kalon një proces vakumi institucional nuk qëndron, raporton Ekonomia Online.
“Sikurse edhe në hapësirë, edhe në politikë nuk ka vakum institucional. Ka peshë specifike ajo që e zë dhe e merr. Natyrisht, më 9 shkurt është përcaktuar kjo peshë dhe duhet të zbatohet, duhet të veprohet. Me vetë faktin që nuk kemi një marrëveshje politike për qeverinë nuk besoj që mund të përballohet zgjedhja e kryetares së Kuvendit e nominuar nga Vetëvendosje. Sepse, ky është një proces i lidhur, pavarësisht që kryeministri në detyrë po insiston ta ndajë dhe po punon që ndaras t’i zgjidhë këto çështje. Është vlerësim i tij, çështje e tyre, por nuk besoj që përballohet kjo situatë ndryshe, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje”, tha Haziri.
Kadrijaj: I kemi mbledhur dhjetë nënshkrime për dërgimin në Kushtetuese të bllokadës në Kuvend
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se i kanë mbledhur dhjetë nënshkrime për dërgimin në Kushtetuese të gjendjes së bllokadës në Kuvend, raporton Ekonomia Online.
“Aq shumë u thirrën në Kushtetuese dhe këta janë shkelësit më të mëdhenj të Kushtetutës. Shikoni deklaratat e Haxhiut, shihni historikun e Kurtit. Bllokues i konstituimit të Kuvendit është Vetëvendosje. Nesër do ta procedojmë në Kushtetuese. Është duke u hartuar. Besoj nesër në orën 11:00 do të dorëzohet. I kemi nënshkrimet e mjaftueshme. I kemi dhjetë nënshkrime që janë mjaftueshëm. Është ngërç politik”, tha ajo.
