Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, i cili njëkohësisht ushtron edhe detyrën e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe mbështetjen zvicerane për zhvillimin dhe demokratizimin e Kosovës.
Ai ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë ndërtuar mbi lidhjen e krijuar nga mërgata kosovare dhe mikpritja e Zvicrës në periudhat e vështira për shqiptarët e Kosovës.
“Mbi themelet e forta të lidhjes sonë me Zvicrën, që u vunë nga mërgata dhe mikpritja zvicerane në kohëra të vështira për shqiptarët e Kosovës, po ndërtojmë e avancojmë marrëdhëniet si Republikë, teksa po zgjerojmë bashkëpunimin, i cili me hyrjen në fuqi të EFTA-s muajin e kaluar shënon një kapitull të ri në tregtinë e lirë, përveçse të mallrave edhe të shërbimeve”, ka shkruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka bërë të ditur se gjatë takimit ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës, ndërsa ka falënderuar Cassis për zgjatjen e mandatit të Swisscoy dhe rritjen e numrit të ushtarëve që mund të marrin pjesë në kuadër të misionit të KFOR-it.
“Shpreha mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për popullin dhe shtetin tonë, për zhvillim e demokratizim, ndërsa e falënderova për zgjatjen e mandatit të Swisscoy dhe rritjen e tavanit të pjesëmarrjes me ushtarë në kuadër të KFOR-it”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si në nivelin institucional, ashtu edhe në atë ekonomik, si dhe për rolin e Zvicrës në proceset integruese të Kosovës.
“ Krahas diskutimeve për atë se çfarë mund të bëjmë më shumë, qeveri me qeveri e biznese me biznese, biseduam edhe për rëndësinë e Zvicrës në proceset integruese. Gjithashtu theksuam rolin e z. Cassis, si kryesues, në zbatimin e standardeve të barabarta në raportim nga OSBE-ja dhe në përfaqësimin e Kosovës në këtë organizatë”, ka shkruar ai.
Kurti ka bërë të ditur se Cassis e ka ftuar të marrë pjesë në Samitin e Dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Cyrih në prill të vitit të ardhshëm.
“Ministri Cassis më ftoi në Samitin e Dhjetë të Komunitetit Politik Evropian në Cyrih, në prill të vitit të ardhshëm, ndërsa ai do të jetë i mirëseardhur për vizitë në Shtëpinë e Kosovës në Davos, në janar”, shtoi Kurti.