26 deputetë britanikë i kanë dërguar një letër zyrtare Sekretarit të Jashtëm David Lammy.
Ligjvënësit e Mbretërisë së Bashkuar, i kanë kërkuar kryediplomatit një ndryshim rrënujësor në politikën e jashtme ndaj Serbisë.
Kjo letër është nënshkruar nga përfaqësuesit e të gjitha partive politike, në krye me Emma Lewell-Buck, e cila është kryetare e grupit parlamentar “Labour Friends of Kosovo&Western Ballkans”.
Arsye për këtë iniciativë, ishte pjesëmarrja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në paradën ushtarake në Moskë më 9 maj, e cila shihet si demonstrim i forcës nga regjimi i Vladimir Putinit.
“Nën Presidentin Vuçiq, Serbia ka forcuar marrëdhëniet me Rusinë, duke qenë vendi i vetëm evropian që nuk ka vendosur sanksione ndaj saj që nga viti 2014,” thuhet në letër.
Deputetët britanikë shprehin shqetësimin për përpjekjet e Vuçiqit për të destabilizuar rajonin e Ballkanit dhe për lidhjet e tij me strukturat paramilitare dhe kriminale në veri të Kosovës.
Po ashtu, letra në fjalë thekson përfshirjen e drejtpërdrejtë të Milan Radoiçiqit në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, një akt që autorët e letrës e cilësojnë si “terrorizëm i mbështetur nga shteti serb”.
Ligjvënësit britanikë, theksojnë se Serbia ka përdorur një retorikë të rrezikshme nacionaliste dhe ka vazhduar të refuzojë realitetin e pavarësisë së Kosovës.
Në dokumentin zyrtar, ata i bëjnë thirrje Qeverisë britanike të ndërmarrë një sërë hapash:
Deputetët britanikë nënvizojnë se kjo letër nuk është një sulm ndaj popullit serb, por një përpjekje për të ndarë shpresat e qytetarëve për një të ardhme evropiane nga veprimet e një regjimi që “po rrëshqet drejt autokracisë”.