Rama: Evropa ka nevojë për një aleancë përtej armatimit

Prishtinë | 16 Maj 2025 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) që po mbahet të premten në Tiranë, bëri thirrje për një vizion të ri evropian që shkon përtej sigurisë ushtarake. Ai theksoi rëndësinë e investimit në arsim, shkencë dhe inteligjencë artificiale, si mënyrë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët për të rinjtë e Evropës, raporton Ekonomia Online.

“Pse mos të imagjinojmë një aleancë përtej armatimit, ku vendet që nuk janë anëtare të BE-së bëhen kufij të rinj të dijeve, një ringjallje e asaj që pasoi rënien e murit të Berlinit?”, tha Rama, duke propozuar një “KPE të arsimit, shkencës dhe IA-së” – një aleancë të re që do të krijonte burime të përbashkëta dijeje dhe inovacioni.

Ai theksoi se është koha që Evropa të krijojë më shumë arsye për të rinjtë që të qëndrojnë dhe të ëndërrojnë në kontinent, përtej diskursit mbi luftën dhe armatimin.

“Le të sigurohemi që rrugëtimi i Evropës nuk është një udhëtim rrëmbimi, por një udhëtim rilindjeje. Një kthim në shtëpi – jo me formën e armëve, por me imagjinatën e fëmijëve tanë”.

Më tej, Rama paralajmëroi për rrezikun që ideali evropian të zbehet përballë kërcënimeve të luftës, duke theksuar se thelbi i këtij ideali duhet të mbetet paqja dhe bashkëpunimi.

“Paqja nuk ka konkurrentë, e kemi mësuar këtë në Ballkan. I kemi mbijetuar luftës, kolapsit ekonomik dhe kemi kuptuar se bashkëpunimi është rruga e vetme pa humbës”, përfundoi ai.

Të ngjashme