Kryeziu: Absurditet i opozitës, ne po veprojmë sipas rregullores, ata po bllokojnë

Prishtinë | 25 Maj 2025 | 11:59 | Nga Gzim Mujaj

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbëresha Kryeziu, pas dështimit të 21-të me radhë të seancës konstituive të Kuvendit, akuzoi partitë opozitare për bllokim të qëllimshëm të procesit, raporton Ekonomia Online.

“Edhe sot e pamë veprimin e radhës, absurditetin e radhës të partive opozitare në Kuvend, të cilat nuk morën pjesë fare në votim – në formimin e komisionit i cili mundëson votimin e fshehtë. E kemi parë që vazhdimisht i kanë arsyetimet e njëjta”, tha Kryeziu.

Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që të dilet nga kjo bllokadë institucionale dhe vuri theksin te mungesa e reflektimit nga ana e opozitës.

“Nuk ka reflektim nga partitë opozitare. Ne i kemi dy kërkesa që po i presim opinionet e Gjykatës Kushtetuese. Njëra ka të bëjë me votimin e mërgatës, nga kërkesa që ka dorëzuar VV-ja. Nuk kemi për çka të jemi nën presion, jemi sipas rregullores, po vijmë në Kuvend, po marrim pjesë në votim,” shtoi ajo.

Sipas Kryeziut, presioni duhet të bjerë mbi ata deputetë që, ndonëse marrin pjesë në seanca, nuk po e përkrahin përmbylljen e procedurës konstituive.

“Ata që duhet të jenë nën presion janë deputetët që po vijnë dhe nuk po i përgjigjen kësaj procedure,” përfundoi ajo.

Të ngjashme