Albulena Haxhiu paraqitet në gjykatë, shtyhet seanca gjyqësore për gaz lotsjellës në Kuvend

Prishtinë | 23 Qer 2025 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u paraqit këtë paradite në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ishte paraparë të mbahej seanca gjyqësore për hedhje të gazit lotsjellës në vitin 2016 në Kuvendin e Kosovës. Por, seanca u shty për shkak të mungesës së të akuzuarve të tjerë, raporton Ekonomia Online.

Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj akuzohen se në shkurt të 2016-tës kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, duke e kryer veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

Pavarësisht se kishte seancë në Kuvend, Haxhiu ishte e pranishme në gjykatë, duke theksuar se po përballen me një proces të padrejtë për veprime politike kundër demarkacionit dhe Asociacionit.

“Po bëhen 10 vite që ne po përballemi me një proces të padrejtë, ne kërkojmë por ja që rregullat kërkuan të jemi këtu, ndonëse kemi seancë në Kuvend në ora 11:00, unë isha e pranishme. Mirëpo në anën tjetër seanca është shtyre më 2 shtator është e pakuptimtë edhe kjo zvarritje ne akuzohemi për mbajtje në pronësi thua se çfarë krimi kemi bërë ato kanë qenë veprime poltiike për të ndalë demarkacioni dhe shenjë kundërshtimi për Zajetnicën”, theksoi Haxhiu.

Avokati i Lekajt, Musa Damati, tha se klienti i tij ndodhet jashtë vendit për angazhime personale.

“Seanca e sotme është shtyrë më 2 shtator për arsye procedurale të mungesës së klientit tim dhe të disa të pandehurve të tjerë. U potencua si seancë që ka pasur angazhime imediatë dhe personale dhe për këtë arsye gjendet jashtë vendit. Haxhiu befasoj me prezencën e saj, konsiderojmë që prezenca e saj ishte befasuese ë bazë të agjendës së Kuvendit”, shtoi Damati.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë-Serbi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Avokati i Haxhiut, Burim Halili, deklaroi se procesi po zvarritet pa arsye dhe theksoi se provat e supozuara – armët e përfshira – janë kthyer, çka e bën të pamundur të vërtetohet fajësia e saj.

“E njëjta ka qenë e rregullt, dhe në raste që nuk ka ardh ka njoftuar me shkrim. Është e pakuptimtë që bëjmë një proces maratonik. Kemi të bëjmë me një proces që supozohet që të konsiderohet si armë dhe ato janë kthyer, me ligjin tonë arma nuk kthehet duhet me u konfiskuar dhe me u bë ekspertiza, meqë është kthyer është e pamundur të vërtetohet fajësia e klientes”, shtoi ai.

Të ngjashme