Origjina e paralizës

Prishtinë | 11 Kor 2025 | 16:10 | Nga Blerim Shala

Në shumësinë e shpjegimeve dhe interpretimeve për të gjetur ‘origjinën’ e vendnumërimit të Kuvendit të Kosovës, në themelim e sipër tash e sa kohë (kemi nisur të harrojmë që zgjedhjet parlamentare janë mbajtur në Kosovë në dimër, me 9 shkurt, e tash jemi në verë), u shpërfaq edhe njëri, me motërzime të shumta, sipas të cilit ajo çfarë po ndodhë në Kuvend është reflektim i vullnetit të mirëfilltë të popullit.

Ky konstatim, të kuptohemi, nuk ka të bëjë me një qëndrim të gjithë njohur, si te ne, si kudo ku ka demokraci, që vota e qytetarëve të vendit kthehet a përkthehet në mandatet në Kuvend, teksa mandatet në Kuvend pastaj evoluojnë në një mandat qeverisës, kur një shtet (siç është Kosova), është demokraci parlamentare.

Interpretimi i parë, në këtë kontekstin e fajësimit (qoftë edhe të tërthortë), të qytetarëve apo votuesve të Kosovës për këtë paralizë parlamentare, mori formën e konstatimeve të disa politikanëve të rëndësishëm që votuesi ka përcaktuar një pozicion opozitar për partitë e tyre, prandaj, ata do ta respektojnë në tërësi këtë porosi zgjedhore.

Por puna është që me rezultatet që i sollën zgjedhjet e 9 shkurtit, në vazhdën e këtij mendimi, nuk është gabim të thuhet që pasi asnjëra parti apo asnjë entitet politik nuk e mori shumicën absolute (prej së paku 51 deputetëve të cilët zgjedhën në mënyrë të drejtpërdrejtë), që të gjitha janë kualifikuar për të qenë parti opozitare në përbërjen e Kuvendit të ri.

Tutje sipër kësaj logjike mund të konstatohet që në historikun 24 vjeçar të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë (të parat u patën mbajtur në vitin 2001), vetëm një herë, dhe atë para katër viteve, në zgjedhjet e vitit 2021, një subjekt, ‘Vetevëndosje’ e përmbushi këtë kriterin e fitimit të shumicës absolute të deputetëve që zgjedhën në mënyrë të drejtpërdrejtë (pa ato njëzet mandatet e garantuara për komunitetet joshumicë).

Edhe interpretimi i dytë i kësaj natyre, zbret tek qytetari si votues, madje, edhe tek atmosfera mbizotëruese në shoqëri kur bëhet fjalë për bindjet dhe shpjegimet politike të qytetarëve, për t’i bërë ata përgjegjës për këtë ngecjen politike që karakterizon skenën politike të vendit.

Një herë pra qytetarët ishin fajtorë që votuan kështu si votuan (duke mos ofruar qartësi të plotë se kush dhe si mund t’i krijojë institucionet qendrore të vendit), e herën tjetër, politika e jonë është kjo që është, sepse qytetarët janë të tillë.

Është ky një lexim paradoksal i proceseve politike tek ne, dhe e njëjta vlen (sërish), kudo ku ka demokraci parlamentare.

Po të thuhet e kundërta, pra që qytetarët janë shpërfaqje e politikës së vendit, në masë të madhe (jo plotësisht), kjo deri diku edhe mund të ketë logjikë, apo, ka qëndrueshmëri, sepse njëmend kështu është.

Kur ndodhë çarja e madhe në mes të vullnetit dhe bindjeve të qytetarëve dhe atyre të politikanëve kryesorë në vend, atëherë shtegdalja gjendet, tek e fundit, me paraqitjen e subjekteve të reja të cilat duhet ta mbulojnë atë segment të vullnetit i cili ndihet i anashkaluar dhe i mënjanuar (madje), nga subjektet dhe liderët aktual.

Kjo është e kuptueshme.

Por në asnjë variant nuk mund të ketë fajësim të qytetarëve të një vendi, pse skena politike çalon apo nuk është në gjendje t’i kryejë detyrat për të cilat është legjitimuar përmes zgjedhjeve, dhe të cilat kanë burim të qartë të legalitetit.

Qytetari e kryen obligimin e tij ndaj vendit, kur bëhet fjalë për ndërtimin e pushtetit qendror apo edhe pushtetit lokal, për pak minuta, në qendër të votimit, një herë në katër vjet ose edhe më pak.

Kaq e ka kjo punë.

Të gjitha obligimet e tjera, pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, bien mbi supet e politikanëve dhe partive që kanë marrë pjesë në një garë demokratike.

Dhe ata kanë mandat kushtetues dhe ligjor si dhe gjithsesi detyrim politik që të punojnë në interes të qytetarëve dhe të vendit prej ditës së parë deri në atë të fundit që lidhin dy palë zgjedhje të lira.

Kaq e thjeshtë është kjo punë./Klan Kosova/

Të ngjashme