Katër zyrtarë të arrestuar pas bastisjes në Arkivin Shtetëror dhe Agjencinë Kadastrale

Prishtinë | 16 Kor 2025 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Ka përfunduar bastisja në Arkivin Shtetëror dhe Agjencinë Kadastrale të Republikës së Kosovës, e zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës. Gjatë aksionit janë arrestuar katër zyrtarë, raporton Ekonomia Online.

Më herët gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë aksion për bastisje dhe kontroll në Arkivin Shtetëror dhe Agjencinë Kadastrale të Republikës së Kosovës.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, tha për Ekonomia Online se aksioni është ndërmarrë sipas urdhëresës së gjykatës dhe lidhet me dyshimet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, sipas urdhëresës nga gjykata ka marrë aksion për bastisje dhe kontroll në institucionin e Arkivit Shtetëror dhe institucionin Kadastral të Republikës së Kosovës për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit për çdo zhvillim të mëtejmë do t’ju mbajë të informuar”, tha Shala.

Ndërsa, Policia e Kosovës njoftoi se operacioni policor përfshin tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.
“Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha për EO,
zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Të ngjashme