Supremja kthen në rigjykim rastin e katër të dënuarve për avancimin pa konkurs të zyrtarit të IT-së në Spitalin e Mitrovicës

Prishtinë | 20 Kor 2025 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme e Kosovës ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit në rastin e katër të dënuarve për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ka kthyer çështjen për rigjykim, pasi ka konstatuar shkelje thelbësore të procedurës penale.

Në këtë rast, Mirdi Strana, Ixhmet Rexhepi, Zahir Musa, Rrahim Merovci dhe Fatime Zeneli, ku i pandehuri i parë si kryesues dhe të tjerët si anëtarë të Këshillit Drejtues të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, akuzohen për avancimin e punonjësit Arbnor Bajraktari në këtë spital duke shpërfillur procedurat ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi’’.

Sipas aktgjykimit të Supremes të datës 7 korrik 2025, janë miratuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të Mirdi Stranës, Zahir Musës dhe Rrahim Merovcit, si dhe sipas detyrës zyrtare për Ixhmet Rexhepin. Kurse, aktgjykimi i Themelores për Fatime Zenelin mbetet i pandryshuar.

Supremja vlerësoi se Apeli nuk kishte arsyetuar si duhet pretendimet e ngritura në ankesa dhe kishte dhënë përgjigje të përgjithshme për çështje vendimtare.

Fillimisht, më 10 tetor 2024, Gjykata Themelore në Mitrovicë i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit Mirdi Strana, Ixhmet Rexhepi, Zahir Musa dhe Rrahim Merovci, duke i dënuar me gjithsej tre vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa Fatime Zeneli ishte liruar nga akuza.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit si anëtarë të Këshillit Drejtues të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë kishin miratuar në mënyrë të kundërligjshme avancimin e Arbnor Bajraktarit në pozitën e menaxherit të teknologjisë informative, pa konkurs publik dhe në kundërshtim me Ligjin e Punës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Përveç dënimeve, ata ishin obliguar të kompensojnë dëmin në shumën prej 37,498.26 euro, të mbulojnë shpenzimet e procedurës dhe të paguajnë nga 200 euro në emër të paushallit gjyqësor, 50 euro për fondin e viktimave të krimit dhe 275 euro për ekspertizën financiare.

Ndërkohë, shkalla e dytë, Gjykata e Apelit kishte aprovuar pjesërisht ankesat e mbrojtësve të të dënuarve Mirdi Strana, Ixhmet Rexhepi, Zahir Musa dhe Rrahim Merovci, si dhe ankesën personale të të dënuarit Zahir Musa. Si rezultat, ajo e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë vetëm sa i përket vendimit për dënimin.

Apeli kishte vendosur që dënimet me burgim prej tetë muajsh, të shqiptuara ndaj Mirdi Stranës, Zahir Musës dhe Rrahim Merovcit, të konsiderohen si të vërtetuara, por ato nuk do të ekzekutohen nëse të dënuarit nuk kryejnë vepra të tjera penale brenda një periudhe verifikuese prej një viti.

Po ashtu, dënimi me burgim prej një viti ndaj Ixhmet Rexhepit është marrë si i vërtetuar, por edhe ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda dy vjetëve. Në të gjitha pjesët e tjera, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë ka mbetur i pandryshuar.

Të akuzuarve nuk u ishte dhënë mundësia të deklaroheshin kur ishin nën hetime
Gjykata Supreme e Kosovës, pas shqyrtimit të plotë të shkresave të lëndës, ka konstatuar se kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e të dënuarve Mirdi Strana, Zahir Musa dhe Rrahim Merovci janë të bazuara. Sipas vlerësimit të saj, aktgjykimi i Gjykatës së Apelit përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, konkretisht të nenit 384, paragrafi 2, nënparagrafi 2.7, në lidhje me nenin 369, paragrafin 6 dhe nenin 404, paragrafin 1 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).

Të ngjajshme
Pagën prej shtetit, punët tek privati

16 Nën, 2024, 20:11
Jepet fjala përfundimtare në gjykimin për korrupsion ndaj…

4 Tet, 2024, 20:20
Mungon njëri i akuzuar dhe mbrojtësi i tij, shtyhet gjykimi…

30 Sht, 2024, 14:51
Gjykata Supreme ka vërejtur se Gjykata e Apelit nuk i ka vlerësuar dhe arsyetuar siç duhet pretendimet kryesore të paraqitura në ankesat e mbrojtësve të Mirdi Stranës dhe Zahir Musës, si dhe në ankesën e vetë Zahir Musës. Këto ankesa lidhen me procedurën e hetimeve dhe ngritjen e aktakuzës, ku pretendohet se të dënuarve nuk u është dhënë mundësia të deklarohen apo të njihen me rezultatet e hetimeve, pavarësisht se ishin të dyshuar për një vepër penale të dënueshme me mbi tre vjet burgim.

Në aktgjykimin e saj, Gjykata Supreme ka theksuar se arsyetimi i Gjykatës së Apelit është i mangët dhe i përgjithësuar, jo vetëm për çështjen kryesore të ngritur në ankesa, por edhe për pika të tjera të rëndësishme të mbrojtjes. Sipas Gjykatës, Apeli nuk ka analizuar konkretisht pretendimet e mbrojtjes, duke u kufizuar në konstatime të përgjithshme.

Gjykata Supreme ka sqaruar se, sipas nenit 404, paragrafi 1 i KPP-së, Gjykata e Apelit ka detyrimin të vlerësojë ankesat dhe të adresojë shkeljet ligjore, duke ofruar arsyetim të qartë për çështjet vendimtare të rastit. Edhe pse nuk kërkohet përgjigje e detajuar për çdo pretendim, arsyetimi duhet të jetë i mjaftueshëm dhe konkret.

Në këtë rast penal, Gjykata Supreme ka konstatuar se Gjykata e Apelit nuk i ka trajtuar pretendimet thelbësore të ngritura në ankesat kundër vendimit të shkallës së parë, duke shkelur kështu detyrimin për arsyetim të mjaftueshëm. Për rrjedhojë, Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë si të bazuara, ka anuluar aktgjykimin e Apelit dhe ka kthyer çështjen në rigjykim.

Supremja ka vlerësuar se shkeljet procedurale janë të natyrës së tillë që nuk mund të korrigjohen në këtë fazë, duke imponuar kthimin e çështjes për rishqyrtim. Në rigjykim, Gjykata e Apelit duhet të shmangë shkeljet e identifikuara, të shqyrtojë plotësisht pretendimet thelbësore të ankesave dhe të vendosë në mënyrë meritore, duke ofruar arsyetime të qarta dhe të mjaftueshme, përfshirë shkeljet që ka për detyrë t’i trajtojë sipas detyrës zyrtare.

Shkalla e tretë, sipas detyrës zyrtare vendosi edhe në dobi të të dënuarit Ixhmet Rexhepi, edhe pse i njëjti nuk kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, për shkak se arsyet për të cilat ka marrë vendim në dobi të të dënuarve: Mirdi Strana, Zahir Musa dhe Rrahim Merovci, nuk janë të natyrës personale.

Meqenëse Prokuroria nuk ka paraqitur ankesë, pjesa e aktgjykimit lirues ndaj Fatime Zenelit mbetet e pandryshuar.

Aktakuza i ngarkon se pa konkurs Arbnor Bajraktarin e avancuan në IT
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 16 qershor 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Mirdi Stranës, Ixhmet Rexhepit, Zahir Musës, Rrahim Merovcit dhe Fatime Zenelit, me arsyetimin se si persona zyrtarë, Strana – kryesues, Rexhepi, Musa, Merovci e Zeneli si anëtarë të Këshillit Drejtues të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personit tjetër ose t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Sipas aktakuzës, të njëjtit me dashje, pa i përfillur procedurat e konkursit pasi që është dashur të shpallet, në mbledhjen e mbajtur të Këshillit Drejtues më 30 qershor 2015, kanë aprovuar kërkesën e Arbnor Bajraktarit me edukim “Bachelor i arteve në menaxhment”, për avancim në pozitën “Menaxher të teknologjisë informative (TI)” me koeficient 8.40 (paga bazë 634 euro e 39 centë), edhe pse Bajraktari ka pasur kontratë pune në kohë të pacaktuar, të datës 13 shkurt 2014 në pozitën “Administrator në sistemin informativ shëndetësor” në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë, me koeficient 4.80 (paga bazë 290 euro).

Aktakuza thotë se i pandehuri Mirdi Strana në kundërshtim me Ligjin e Punës nr.03/L212, ka marrë vendim më 30 qershor 2015, së bashku edhe me të pandehurit tjerë, sipas të cilit Arbnor Bajraktarin e caktojnë në pozitën “Menaxher i teknologjisë informative (TI)”, Departamenti i administratës dhe shërbimeve ndihmëse në Spitalin e përgjithshëm në Mitrovicë, me çka i kanë shkaktuar dëm financiar buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë deri në ngritjen e kallëzimit penal në vlerë prej 14 mijë e 482 euro e 25 centë.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme