Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) edhe në dytën e dytë po monitoron procesin për rekrutimin e gjyqtarëve të rinj. Sot (e diel), po mbahet testi me shkrim nga fusha civile për 20 gjyqtarë të rinj.
Procesi po zhvillohet në qytetin e Vushtrrisë, pranë Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në këtë testim, bazuar në rezultat që ka publikuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) pas mbajtjes së testit kualifikues, të drejtë që t’i nënshtrohen procesit kishin 86 kandidatë.
Nga gjithsej 86 kandidatë që kanë kaluar testin kualifikues, morën pjesë 85 kandidatë, prej tyre 46 gra dhe 39 burra.
Të shtunën më 19 korrik 2025 u mbajt testi me shkrim nga fusha penale, ku u paraqitën 86 kandidatë, nga ta 47 gra dhe 39 burra.
Sipas Rregullores për rekrutimin e gjyqtarëve 03/2021, KGJK-ja siguron gjithë legjislacionin e nevojshëm me të cilën mund të konsultohet kandidati për zgjidhjen e detyrave në penale dhe atë civile.
Një kandidat për të kaluar këtë fazë, gjithnjë sipas Rregullores, duhet të ketë së paku 39 pikë të vlerësimit total të testit me shkrim.
Komisioni i themeluar për rekrutim është i obliguar që brenda pesë ditësh të përfundojë vlerësimin e detyrave që kanë përpiluar kandidatët dhe pastaj shpall rezultatet me kandidatët e suksesshëm që fitojnë të drejtë të paraqiten për intervistë.
Komisioni për rekrutimin e gjyqtarëve të Gjykatave Themelore që është themeluar nga Këshilli më 26 qershor 2025 kishte bërë publike listën prej 319 kandidatëve që kanë plotësuar kushtet që t’i nënshtrohen testit kualifikues, por iu nënshtruan vetëm 256 prej tyre.
KGJK në mbledhjen e 347-të të datës 28 maj 2025 kishte shpallur konkursin për 20 pozita për gjyqtarë në Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës.
Komisioni vlerësues për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve përbëhet nga kryesuesi i Këshillit- Albert Zogaj si kryetar, si dhe anëtarët: Arjeta Sadiku, Artan Abazi, Valbona Musliu-Selimaj, Ngadhnjim Arrni, kurse anëtarë rezervë janë: Fidan Hoxha dhe Ivana Miletiq.
Procesi për rekrutimin e gjyqtarëve për Gjykatat Themelore zhvillohet bazuar në Rregulloren 03/2021 për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin e gjyqtarëve.
KGJK-ja kishte dërguar ftesën për monitorimin e këtij procesi, duke specifikuar se procesin e rekrutimit e mbështetë në parimin e meritokracisë, transparencës, trajtimit të barabartë dhe në një proces objektiv.