Në një operacion të zhvilluar nga hetuesit e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Gjakovë, katër zyrtarë komunalë janë ndaluar sot nën dyshimin për përfshirje në veprime të kundërligjshme.
Ata dyshohen se gjatë viteve 2018 dhe 2019 kanë keqpërdorur pozitën zyrtare duke lejuar në mënyrë të paligjshme ndarjen dhe bartjen e pronave të patundshme në emër të palëve të treta – pa dijeninë apo miratimin e pronarëve të tyre legjitimë.
“Policia e Kosovës, konkretisht hetues kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit në koordinim me Prokurorinë e Shtetit kanë ndërmarrë veprime hetimore në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga zyrtarë komunalë në Gjakovë. Katër persona të dyshuar janë intervistuar dhe ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit. Hetimet po vazhdojnë në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, tha Hoxha.
“Pas një mori veprimesh hetimore, të kryera në koordinim me prokurorin e shtetit, janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se katër të dyshuar (dy meshkuj dhe dy femra) nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Gjakovës, dyshohet se me veprimet e tyre në vitet 2018 dhe 2019, kanë lëshuar kundërligjshëm pëlqimet dhe vendimet për parcelizimin dhe bartjen e pronave tek personat e tretë, pa dijeninë dhe autorizimin e pronarëve legjitimë”, ka thënë Hoxha për Klan Kosova.