Besim Kelmendi kërkon rritje të efikasitetit në shitjen e pasurive të konfiskuara

Prishtinë | 25 Kor 2025 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka kërkuar nga kryeprokurorët e prokurorive rritje të efikasitetit në shitjen e pasurive të konfiskuara, me theks të veçantë tek automjetet, për të shmangur humbjen e vlerës së tyre.

Kjo kërkesë u bë gjatë kolegjiumit të rregullt të mbajtur në Prishtinë, ku morën pjesë të gjithë kryeprokurorët, përfaqësues të prokurorive dhe prokurorë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në këtë takim u diskutua edhe për performancën e sistemit prokurorial gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 dhe nevojën për zbatim të unifikuar të akteve nënligjore në fuqi.

Në hapje të kolegjiumit, u prezantua projekti rajonal “Integriteti gjyqësor” nga përfaqësuesi i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Nick Hawkins, i cili theksoi synimet për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë.

Në përmbyllje të takimit, u.d. Kryeprokurori Kelmendi theksoi se shitja e pasurive të konfiskuara duhet të trajtohet me prioritet, për të garantuar që të ardhurat nga këto pasuri të mos zvogëlohen për shkak të neglizhencës apo vonesave.

Të ngjashme