Në nderim të 14-vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymberi dhe Ditës Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë organizuar sot homazhe shtetërore te Lapidari i Policëve të Rënë, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Albin Kurti, i pranishëm në ceremoni, vlerësoi sakrificën dhe guximin e policëve që dhanë jetën për vendin. Ai tha se që nga paslufta, 24 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë rënë në detyrë, duke filluar nga Lazim Rexhepi në vitin 2001 e deri te Muhamet Lika në vitin 2025.
“Bëmë nderime këtu te lapidari i policëve të rënë në detyrë, 24 gjithsej në Kosovën e pasluftës, duke filluar nga Lazim Rexhepi në vitin 2001 e deri së fundmi te Muhamet Lika në vitin 2025. Me këtë rast dua të theksoj heroin tonë Enver Zymberin dhe po ashtu Afrim Bunjakun që ranë në krye të detyrës duke mbrojtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, rendin, ligjin, paqen dhe sigurinë në veri të Kosovës. Dita memoriale është e lidhur pikërisht me rënien heroike të Enver Zymberit në vitin 2011, më 26 korrik, me ç’rast siç kemi dhimbje e pikëllim, kemi shumë mall, por në të njëjtën kohë kemi edhe krenari, sepse Policia e Kosovës është një forcë prej 10 mijë pjesëtarëve të cilët i dalin zot republikës sonë”, tha Kurti.
Ai theksoi se Dita Memoriale lidhet pikërisht me rënien heroike të Enver Zymberit më 26 korrik 2011.
“Policia e Kosovës është një forcë multietnike e cila u sulmua shpesh, mirëpo gjithnjë doli fitimtare. E një ndër sulmet strukturore që ka përjetuar ka qenë në nëntor të vitit 2022, ku kishim 541 policë të uniformuar nga komuniteti serb që dhanë dorëheqje kolektivisht… Në vazhdimësi kemi kadetë të rinj, nga gjenerata në gjeneratë, të cilët po shtohen. Vetëm nga komuniteti serb kemi rreth 200 pjesëtarë që, nga dorëheqjet e tyre, i janë bashkuar Policisë së Kosovës dhe krah për krah me shqiptarët e uniformuar dhe të tjerët, i shërbejnë vendit tonë dhe qytetarëve tanë”,shtoi ai.
Në orët e para të mëngjesit, përfaqësues të institucioneve shtetërore zhvilluan vizitë te familja e zyrtarit policor Muhamed Lika, i cili ra në kryerje të detyrës. Gjatë ditës, do të mbahen homazhe pranë varrit të Heroit Afrim Bunjaku si dhe vizitë në familjen e tij. Po ashtu, janë paraparë homazhe pranë varrit të Heroit Enver Zymeri, vizitë në familjen e tij dhe nderime pranë lapidarit në vendin e rënies së tij. Ceremonitë përkujtimore përmbyllen në orën 17:00 me pritjen zyrtare të marshuesve në Qendrën për Trajnim për Kërkim-Shpëtim “Berim” në Zubin Potok – Ujman.


