Qytetarët pjesëmarrës në protestën kundër Gjykatës Speciale thanë për Ekonomi Online se
Kosovës po i bëhet padrejtësi në Hagë.
Ylber Jahiu, tregoi se kishte ardhur nga Tetova vetëm për të marrë pjesë në protestë duke thënë se këtë e ndien më shumë se obligim moral.
“Ne kemi ardhur prej Tetove për t’i dhënë mbështetje luftës të pastër që është bërë nga UÇK-ja. Edhe ata vetë e dinë se është një padrejtësi. Për këtë arsye kemi udhëtuar prej Tetove”, tha ai.
Asllan Elshani, një qytetar tjetër, tha se nuk ndien se po gjykohen vetëm emrat e përveçëm, por e gjithë UÇK-ja.
“Nuk janë burgosur vetëm Hashimi, Kadriu, Rexhepi, Jakupi, por e gjithë UÇK-ja. Për këtë arsye jemi këtu t’i tregojmë botës se çfarë padrejtësie është duke na u bërë neve, UÇK-së. Padrejtësia e parë është burgosja e tyre. Kur ke shumë fakte, plot fakte që Serbia, ushtria, policia serbe kanë bërë krime në Kosovë, ne akoma nuk e pamë një ushtar të Serbisë duke u gjykuar”, u shpreh Elshani.
Xhavit Bajrami tha se u bënë apel instancave në Hagë që sa më parë të bëjnë lirimin e të burgosurve atje.
“Pra, si qytetar i Kosovës kam dalë për ta shprehur indinjatën time të madhe për padrejtësinë, që për vite po i bëhen këtij populli dhe liderëve të UÇK-së, të cilët janë edhe gurthemeli i shtetit sovran të Kosovës, të cilin ne e gëzojmë sot. Është një padrejtësi e madhe dhe nuk është vetëm tash. Nuk do të durojmë më. Ne u bëjmë apel atyre që në kohë sa më të shpejtë të bëjnë lirimin e tyre dhe njëherë e përgjithmonë ta lënë këtë popull të jetojë në liri, ashtu siç jetojnë evropianët”, tha Bajrami.


