EcoZ kërkon largimin e hidrocentraleve nga Parqet Kombëtare: Lumenjtë tanë duhet të jenë të lirë

Prishtinë | 15 Gus 2025 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Organizata për mbrojtjen e natyrës EcoZ ka bërë thirrje për largimin e hidrocentraleve të ndërtuara ilegalisht brenda Parqeve Kombëtare të Kosovës, duke theksuar se ato po dëmtojnë rëndë lumenjtë dhe biodiversitetin, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha ekzekutive, Egzona Shala Kadiu, tha se situata është alarmante si në Parkun Kombëtar “Sharri” ashtu edhe në “Bjeshkët e Nemuna”.

“Sot po flasim për një koncert të cilin do ta organizojmë nesër, por nuk është vetëm një koncert, është një kauzë. Koncerti Dam the Dams që do të mbahet nesër është një thirrje e fortë për të ndaluar shkatërrimin e lumenjve tanë dhe për të larguar objektet e ndërtuara nga lumenjtë tanë që quhen hidrocentrale, që gjenden në mënyrë të paligjshme brenda Parkut Kombëtar të Sharrit dhe atij të Bjeshkëve të Nemuna. Në Parkun Kombëtar të Sharrit janë ndërtuar 4 hidrocentrale, me kapacitetet e tyre duke filluar nga 9.5 deri në 4.5 MGW, të gjitha këto e devijojnë rreth 90 për qind të rrjedhës së lumit, që nënkupton se mbi 5 mijë metra lum janë të vendosura në gypa. Të njëjtën situatë e kemi po ashtu edhe në Bjeshkët e Nemuna ku 3 hidrocentrale gjenden në zonën ilegalisht të ndërtuara”, tha ajo.

Shala Kadiu theksoi se kjo është një çështje që duhet të trajtohet me prioritet nga institucionet e reja.

“Thirrja jonë është që qeveria e ardhshme që do të formohet ta ketë parasysh që këto objekte janë ilegale dhe duhet të largohen nga parqet tona dhe të rrjedh lumi jonë i lirë, qoftë ai i Lepencit, qoftë ai i Lumbardhit. Natyrën ne nuk e shesim, por lumenjtë tanë duhet të lihen të lirë, të jetë uji i barabartë për të gjithë”, tha ajo.

Konferenca u mbajt një ditë para Koncertit “Damn the damns”, është një thirrje për të ndaluar shkatërrimin e lumenjve dhe për të larguar objektet e ndërtuara që shfrytëzojnë këto trupa të ujit. Koncert ky që do të zhvillohet të shtunën, në Brezovicë, në Parkun Kombëtar të Sharrit, ku parashihet një ditë me panair të produkteve lokale, ecje në natyrë dhe koncert me artistë të njohur për të mbrojtur parqet kombëtare.

Sipas EcoZ, aktualisht në Kosovë janë dy parqe kombëtare që, pavarësisht mbrojtjes ligjore, po rrezikohen nga hidrocentralet ilegale: katër të ndërtuara në “Sharri” nga Matkos Group dhe tre në “Bjeshkët e Nemuna” nga Kelkos Energy.

Organizata thotë se të gjitha janë ndërtuar pa leje mjedisore, pa vlerësim të ndikimit në mjedis dhe pa përfshirje të komuniteteve lokale, duke shkelur një sërë ligjesh, përfshirë Ligjin Nr. 04/L-147 për Ujërat e Kosovës, Ligjin Nr. 04/L-086 për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Ligjin Nr. 04/L-087 për Parkun Kombëtar “Sharri” dhe Ligjin Nr. 03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës.

Të ngjashme