Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se të hënën do të takohet me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në Uashington.
Përmes një postimi në Telegram, ai ka treguar se ka pasur edhe një bisedë telefonike me presidentin amerikan.
Sipas tij, biseda ka qenë substanciale.
“Ukraina e konfirmon sërish se është e gatshme të punojë në mënyrë sa më produktive që është e mundur, për hir të paqes. Presidenti Trump më ka informuar për takimin e tij me liderin rus, për pikat kryesore të bisedës së tyre. Është e rëndësishme që fuqia amerikane të ndikojë në zhvillimin e situatës”, ka deklaruar presidenti ukrainas.
Ai ka kërkuar që evropianët të përfshhen në të gjitha fazat e diskutimeve.
“Është e rëndësishme që evropianët të përfshihen në të gjitha fazat, për të pasur garanci të qëndrueshme të sigurisë, bashkë me Amerikën. I kemi diskutuar sinjalet pozitive prej palës amerikane sa i përket pjesëmarrjes në garanci të sigurisë për Ukrainën. Vazhdojmë të koordinohemi me partnerët për të gjitha pozicionet tona”, ka vlerësuar Zelensky.