Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti – Selimi, ka sqaruar arsyen pse nuk e ka mbështetur Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit. Ajo tha se vendimi i saj nuk lidhet me motive partiake, por me deklaratat e mëhershme të Gërvallës ndaj bashkëshortit të saj, Rexhep Selimi.
Në një postim në Facebook, Mehmeti – Selimi përmendi dy reagime të Gërvallës nga viti 2020, ku kjo e fundit e kishte quajtur Rexhep Selimin të dyshuar nga Haga dhe figurë të diskredituar.
“Ky vendim është marrë për hir të transparencës dhe respektit ndaj opinionit dhe përkrahësve të VV-së”, theksoi ajo.
“Mospjesëmarrja ime nuk lidhet me motive partiake. Kjo ka të bëjë me një postim të datës 7 shkurt dhe 25 mars 2020, të cilin po e bashkëngjis në këtë shkrim. Këtë shpjegim po e bëjë për hir të transparencës dhe respektit ndaj opinionit, mediave dhe në veçanti, përkrahësve e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar ajo.
Më 7 shkurt 2020 Gërvalla në një postim në Facebook kishte shkruar: “Nëse mund t’iu besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenkan propozuar si kryetar i grupit parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës.”
Ndërkaq më 25 mars të po të njëjtit vit sërish kishte shkruar: “Sa përbuzshëm me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit.”