OVL-UÇK: Gjithçka gati për protestën në Hagë, pritet të jetë madhështore

Prishtinë | 07 Sht 2025 | 08:00 | Nga Diellza Gashi

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka folur rreth protestës në qytetin e Hagës, më 14 shtator, në ora 14:00, aty ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, në një intervistë për Ekonomia Online, ka deklaruar se organizimi është në fazën përfundimtare dhe interesimi për pjesëmarrje është i madh, si nga Kosova, ashtu edhe nga diaspora.

Ai theksoi se lejet për protestën janë marrë nga autoritetet holandeze dhe se gjithçka është gati.

“Organizimi po shkon shumë mirë, jemi në fazën përfundimtare. Kemi pasur shumë bashkëluftëtarë tanë që kanë shprehur interesim për të udhëtuar me autobus për të marrë pjesë në protestë. Disa na kanë ndihmuar me përkujdesjen për organizimin e transportit. Do të jenë rreth pesë autobusë që do të nisen nga Kosova dhe do të kalojnë përmes Shqipërisë, pastaj drejt Italisë dhe më pas në Holandë. Kjo për shkak të frikës së kalimit në disa shtete, pasi në Serbi ekziston rreziku që emrat tanë të përfshihen në listat e Interpolit. Organizimi në diasporë po shkon shumë mirë, ka interesim nga Gjermania, Zvicra, madje edhe nga Australia dhe Amerika. Jemi në fazën finale; me autoritetet holandeze kemi përfunduar të gjitha procedurat për lejen. Gjithçka është gati, tashmë presim vetëm pjesëmarrësit në protestë”, ka deklaruar Syla.

Sipas tij, protesta do të mbahet një ditë para paraqitjes së një dëshmitari amerikan në gjykatë, si shenjë përkrahjeje për ish-bashkëluftëtarët dhe një mesazh i qartë për Gjykatën Speciale dhe bashkësinë ndërkombëtare.

“Ideja ka qenë që protesta të mbahet atë ditë, sepse dëshmitari amerikan do të paraqitet në gjykatë të nesërmen. Kjo është një lloj mbështetjeje për bashkëluftëtarët tanë, një mesazh që ne jemi me ta. I gëzohemi faktit që dëshmitari është amerikan. Mesazhi ynë kryesor është për Gjykatën Speciale dhe Bashkësinë Ndërkombëtare: ‘Jo në emrin tonë’, populli ynë i thotë kësaj gjykate se nuk mund të merrni vendime në emrin tonë, sepse përmbajtja dhe misioni i saj kanë devijuar. Gjykata nuk mund të vendosë në emër të popullit. Numri i organizatorëve që po angazhohen po rritet çdo ditë. Protesta pritet të jetë madhështore, sepse interesimi është i jashtëzakonshëm”, deklaroi ai për EO.

Të ngjashme