Zelli hakmarrës ndaj ish komandantëve dhe “litosti”

Prishtinë | 17 Sht 2025 | 20:42 | Nga Ermal Mulosmani

Sapo pashë në rrjet një video të Shkëlzen Gashit, njërit prej mbështetësve më të artikuluar të Kryeministrit Kurti, në një koment të gjatë mbi platformën mbrojtëse të shpalosur nga Avokati i Komandantëve në Gjyqin e Hagës.

Ky ligjërim, që ishte edhe i lavdërueshëm nga një këndvështrim heroik i ngjarjeve (kësaj do i rikthehem më vonë) kishte në themel të tij një premisë të gabuar. Ai nisej nga premisa, citoj:

“Duhet shkëputur UÇK-ja nga individë të caktuar që kanë mujtë me bo shkelje të së drejtës humanitare. Kanë mujtë ata persona që kanë punue kuzhinier nëpër shtabe, janë mujtë me qenë porterë, kanë mundë me qenë asi si celin llogore, kanë mujtë me qenë në nivel të naltë të hierarkisë komanduese.”

Bash kjo është pjesa më dinake e ligjërimit të tij. Barazimi i portierit apo kuzhinierit me një udhëheqës të lartë në hierarkinë drejtuese, në rastin më të mirë është naïve.

UÇK-ja është pikësëpari trupa komanduese e saj. Siç është në trupin e një njeriu truri dhe zemra ashtu është trupa komanduese e një ushtrie. Pa komandë nuk ka Ushtri.

Nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e të tjerë komandantë do të dënohen për krime të rënda, historia e UÇK-së inkriminohet, lufta çlirimtare kthehet në një luftë klanesh, civile apo terroriste po deshe, dhe e gjithë retorika dhe lufta e NATO-s në Kosovë bie poshtë.

Ndaj, një retorikë e tillë, sipas së cilës Gjykata e Hagës po dënon “individë” që e pastrojnë luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së është djallëzore, e pasaktë dhe siç e thashë më lart, minimalisht naïve.

Ky patos “për të vërtetën e qashtër me çdo kusht”, ky barazim i portierit, kuzhinierit me kryekomandantin, është përpjekje e dëshpëruar për të reduktuar rolin e udhëheqësve në UÇK. Ajo nuk ka qenë forum OJQ-je ku çdo anëtar ka të drejtë të barabartë vote.

UÇK -ja kanë qenë Komandantët. Kur dikush duhej të firmoste në emër të saj u desh Hashim Thaçi jo kryekuzhinieri as portieri (nuk e di se ku e gjeti Shkëlzeni këtë portierin). Nëse kuzhinieri ka bërë krime, ky sigurisht është një individ i veçantë. Edhe nëse i ka bërë ai i llogoreve apo ushtari i frontit. Janë individë. Ata përfaqësojnë veten. Por nëse Gjykata merr vendim se krimet janë bërë me urdhër të Komandantëve kryesorë, këtu nuk është çështje individësh. Ato krime nuk i ka kryer më Hashim Thaçi, Jakupi apo Kadriu.

Ato krime i ka bërë UÇK-ja.

Kjo është e vetmja arsye pse unë jam pro Hashim Thaçit e kompani në këtë Gjyq. Po synohet të njolloset UÇK-ja, Nato dhe lufta e shqiptarëve. Nuk duhet kurrsesi që urrejtja për individë të caktuar (unë për sa kohë kam shkruar për Kosovën është hera e parë që jam pro Thaçi) të na humbë logjikën për të mirën e Kosovës.

Pjesa e dytë që nuk jam dakort me Gashin, më e padëmshme por krejtësisht patetike, ishte pjesa ku evokon heroizmin e kotë, të paarsyeshëm. Ky quhet spekullim me emocionet, mallëngjim i ndjekësve. Ja çafrë thotë ekzaktësisht:

“Me pa nisë kështu në Pozharevc Albin Kurti osht dashtë me thanë: “Unë e njoh gjuqin e Serbisë, unë e njoh Serbinë, Kosova është zemra e Serbisë, liromëni tash”. Por jo. Po Cari osht shkue aty e I ka thënë “Nuk e njoh kët gjyq unë. Unë njoh veç Gjyqin e Republikës së Kosovës. Qashtu mbrohet Kosova, qashtu mbrohet UÇK-ja. E jo kshtu. 22 vjet si skiftera tash shkojnë ate as pula jo, zogj”

Pati edhe një krahasim tjetër me Adem Demaçin që veç e theksonte dellin heroik. Sipas tij Demaçi kur e pa që njëri prej bashkëpunëtorëve të tij në gjyq po qante iu lut Gjykatësit që ta marrë edhe burgun e tij.

Duhet thënë që deklarime të tilla mallëngjejnë njerëzit sepse ngacmojnë emocionet e paarsyeshme.

Ky është ai emocioni që Milan Kundera e quan Litost.


Pikërisht për këto emocionete paarsyeshme, këtë heroizëm përmes viktimizimit, Milan Kundera shkruan në një nga librat e tij, citoj:

“Nëse kundërshtari është më i fortë se ne, s’na mbetet gjë tjetër pos të zgjedhim një hakmarrje të tërthortë, një shuplakë me spondë, një vrasje me anë të vetëvrasjes.

Nxënësi luan notën e gabuar në violinë, aq sa mësuesi tërbohet dhe e flak nga dritarja Dhe, gjatë rënies, studentin e gëzon ideja se profesori i keq do akuzohet për vrasje.

Persët pushtojnë Peloponezin dhe spartanët bëjnë gabime ushtarake njëri pas tjetrit. Dhe sikurse studenti refuzon t’i bjerë siç duhet, edhe ata verbohen nga lotët tërbimit dhe refuzojnë çdo veprim të arsyeshëm, nuk janë të aftë as të luftojnë më mirë, as të dorëzohen, as të gjejnë shpëtim te arratisja, dhe, nga litosti, vriten deri në njeriun e fundit.”

“Në gushtin e 1968-ës, kur mijëra tanke rusë pushtuan këtë vend të vogël e të mrekullueshëm, kam lexuar këtë parullë në murin e një qyteti: “Nuk duam kompromis, duam fitore!”

Kini parasysh se, në atë kohë, mundësia e vetme ishte të zgjidhej njëri nga variantet e disfatës, asgjë më shumë se kaq, mirëpo ai qytet nuk pranonte kompromise dhe donte fitoren!

Ishte litosti ai që fliste!

Njeriu i pushtuar prej tij hakmerret duke u vetasgjësuar. Fëmija është plandosur mbi trotuar, por shpirti i pavdekshëm i tij do gëzojë përjetësisht sepse mësuesi vetëvaret te doreza e dritares.


Pikërisht, akti heroik i Albin Kurtit në Pozharevac është litost. Kishte më shumë rëndësi të dëshmonte heroizëm para dëshmitarëve (fakti që akti i tij dëshmohet, tregon që ka pasë dëshmitarë) sesa të lirohej nga burgu. Nuk i bënte asgjë Republikës së Kosovës nëse rrinte gojëmbyllur, mund t’i bënte mirë vetes së tij.

Dëshmitarët dhe historia, këta dy frymëzues për heroizëm, e shtynë Albinin në litost. Si edhe Demaçin.

Heroizmi i të dyve, Kurtit dhe Demaçit, pavarësisht rrethanave, u bën nder atyre kryesisht.

Krejt ndryshe është rënia e Adem Jasharit. Masakra e Jasharve në Marsin e 98-ës është fillimi i fundit të serbëve në Kosovë. Mobilizimi që rënia e tij i dha UÇK-së ka qenë i një dimensioni të paimagjinueshëm.

Ndërsa, nëse Hashim Thaçi e kompani, pohojnë që kanë qenë në komandë të gjithçkaje ka ndodhur gjatë luftës, pohojnë dy gjëra të dëmshme:

E para i bëjnë dëm Kosovës sepse inkriminojnë UÇK-në;

E dyta bie ndesh me të vërtetën. E vërteta me shumë gjasë është ajo që tha Rubini. Komanda e UÇK-së nuk ka pasë asnjë shans të jetë si ajo e një ushtrie klasike. UÇK ka qenë një front çlirimtar i improvizuar

Të ngjashme