Serbia mban paradë ushtarake në një kohë protestash antiqeveritare

Prishtinë | 20 Sht 2025 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Serbia ka mbajtur të shtunën paradë ushtarake në Beograd nën sloganin “Fuqia e Unitetit”.
Njëkohësisht, një grup qytetarësh, me thirrjen e studentëve protestues, u mblodhën “në mbështetje të ushtrisë”. Mbi 10.000 trupa do të marshojnë në paradë, së bashku me mbi 2.500 armë dhe pajisje ushtarake, sipas autoriteteve. Parada po zhvillohet në një kohë protestash masive antiqeveritare në Serbi, të nxitura nga vdekja e 16 njerëzve në një aksident në Novi Sad nëntorin e kaluar.

Policia vendos kordon midis studentëve dhe vendit të paradës

Policia ka vendosur kordon për të mos i lejuar pjesëmarrësit e tubimit studentor të afrohen në hyrje të paradës ushtarake.

Përveç anëtarëve të policisë së trazirave, ka edhe anëtarë të Xhandarmërisë me pajisje të plota për të shpërndarë demonstratat.

Megjithatë, policia është pozicionuar në disa unaza, kështu që pjesëmarrësit e tubimit studentor po përpiqen të gjejnë një rrugë për në paradë.

Pjesëmarrësit në tubimin studentor me të cilët foli Radio Evropa e Lirë thonë se do të përpiqen të hyjnë individualisht në zonën ku po zhvillohet parada.

Ata janë të indinjuar nga sjellja e policisë së trazirave dhe e Xhandarmërisë, të cilët ua bllokuan kalimin.

Ata theksojnë se “ushtria nuk është e Vuçiqit, por e popullit”, se “askush nuk mund t’i ndalojë ata të kalojnë” dhe pyesin pse njerëzit që vijnë në mënyrë të organizuar dhe që pretendojnë se janë mbështetës të qeverisë, lejohen të hyjnë në paradë si spektatorë.

Në paradë parakalojnë edhe “Kobrat”

Në mesin e njësiteve që po kalojnë në paradën ushtarake në Beograd është edhe njësiti “Kobrat”, raportojnë gazetarë të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë nga vendi i ngjarjes.

Anëtarët të këtij njësiti ishin parë në ambientet e Partisë Progresive Serbe në pushtet në Novi Sad, natën kur demonstruesit shkatërruan ambientet e SNS-së në atë qytet.

Parada në Beograd është një mesazh për fqinjët, vlerëson analisti amerikan

Parada në Beograd është një mesazh për fqinjët, vlerëson analisti amerikan Kurt Bassuener nga Këshilli për Politika të Demokratizimit me seli në Berlin, i cili e sheh këtë paradë si një sinjal të hapur ndaj vendeve fqinje të Serbisë për arsenalit të saj të ri ushtarak.

“Por kjo është gjithashtu – ndoshta edhe para së gjithash – një përpjekje e dukshme për të vendosur kontroll të brendshëm në Serbi, kontroll që gjithnjë e më shumë po i shpëton Vuçiqit nga duart, të paktën në aspektin e opinionit publik”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, fakti që, siç thotë ai, Vuçiqit “po i ikën kontrolli” në vend, po ndikon edhe në politikën e jashtme të tij, duke e shtyrë drejt një arbitrazhi gjeopolitik.

Policia dhe Xhandarmëria shtypin qytetarët

Studentët dhe qytetarët po shtyhen prapa nga Policia dhe Xhandarmëria dhe po mbahen “në rreth” pranë Pallatit “Serbia”, raporton një gazetar i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Studentët dhe qytetarët nuk po bëjnë rezistencë ndërsa policia po i shtynë ata.

Ata po i pyesin oficerët e policisë “kë po mbroni”, dhe po brohorisin “po rrihni njerëz”, “po sulmoni njerëz”.

Parakalimi i njësive të motorizuara

Në kuadër të programit të paradës ushtarake ka filluar parakalimi i njësive të motorizuara.

Në mesin e tyre ishin, ndër të tjera, automjetet e blinduara luftarake “Lazar 3”, “Millosh” dhe “Hummer”, me pjesëtarë të njësive speciale dhe të zbulimit, si dhe motoçikleta katër rrotëshe.

Serbia shpenzon më së shumti në rajon për ushtrinë

Serbia bashkëpunon gjerësisht me Kinën në sektorin e mbrojtjes, dhe blerjet e saj të armëve nga ky vend kanë shkaktuar kritika nga Bashkimi Evropian – ku Serbia mëton të anëtarësohet – dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Si justifikim për armatosjen e Serbisë, Vuçiq shpesh përdor “kërcënimet nga fqinjësia”.

Kush ishin të ftuarit që morën pjesë në paradë?

Në paradën ushtarake të Serbisë në Beogard nuk pati fytyra shumë të njohura apo të rëndësishme nga bota e politikës.

Në mesin e atyre që morën pjesë ishin, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Mohammed bin Zayed, anëtari i familjes mbretërore të Bahreinit Nasser bin Hamad, aktori Steven Seagal, si dhe ish-presidenti i entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik.

Parada u mbajt në një kohë protestash masive antiqeveritare në Serbi, të nxitura nga vdekja e 16 njerëzve në një aksident në Novi Sad nëntorin e kaluar.

Zyrtarët serbë e mohuan se parada ushtarake kishte motive politike dhe parada u mbajt nën sloganin “Forca e Unitetit”.

Njëkohësisht, një grup qytetarësh, me thirrjen e studentëve protestues, u mblodhën “në mbështetje të ushtrisë”, por ata nuk u lejuan nga policia të afoheshin afër paradës.

Në paradë nuk pati fytyra shumë të njohura apo të rëndësishme nga bota e politikës.

Në mesin e atyre që morën pjesë ishin, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Mohammed bin Zayed, anëtari i familjes mbretërore të Bahreinit Nasser bin Hamad, aktori Steven Seagal, si dhe ish-presidenti i entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik.

Të ngjashme